Rasti për spitalin modular në Tetovë kthehet në rigjykim, familjarët shpresojnë të zbardhet e vërteta

Gjykata e Apelit në Gostivar vendosi që të kthejë edhe një herë në rigjykim rastin e Modularit në Tetovë, ku si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 persona. Në rigjykim kthehet një pjesë e lëndës kundër dy drejtorëve të spitalit të Tetovës për rastin e zjarrit në të cilin tre vite më parë në spitalin modular për KOVID-19 u dogjën 14 pacientë, të cilët në atë kohë po merrnin trajtim mjekësor kundër Kovid- 19.

Marketing

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim thonë se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante.

Rikthimin e lëndës nga e para e presin edhe familjarët e viktimave, por theksojnë se gjykimi duhet të përfshijë edhe ministrin dhe zëvendësministrin e Shëndetësisë, por edhe kompaninë ndërtuese të Spitalit Modular.

“Kam theksuar se ka edhe njerëz që nuk janë në bankën e të akuzuarve, por në këtë rast rigjykimin që bën Apeli i Gostivarit mendoj se do të ketë drejtësi. Unë si Mumin, në seancën në Tetovë e kam theksuar se ku është ministri i Shëndetësisë, zëvendësministri, ku është firma e ndërtimit “Bako”, ku është firma që e ka pasur tenderin e rrymës që ka vendosur?! Doli deklarata se ekspertiza e Gjermanisë nga kablloja vazhduese, unë e kam thënë edhe në deklarata se nuk ka qenë rrymë nga kablloja vazhduese, defibilratori i zemrës nuk ka qenë në kabllon vazhdues, por si të them direkt në rrymë.”, – theksoi familjari i një viktime, Mumin Ismaili.

“E pritëm shumë mirë se duam që të zbardhet rasti edhe të shohim cila është e vërteta. Besojmë se tash mund të ketë drejtësi. Kompania edhe spitali duhet të kenë përgjegjësi, se jo vetëm ta ndërtojnë edhe të fusin njerëz brenda.”, – u shpreh familjarja e një viktime, Qanie Selmani.

Përndryshe, Gjykata Themelore në Tetovë, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi vitin e kaluar i dënoi me burgim me kusht prej një viti e gjysmë për “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Ata nuk do të shkojnë në burg nëse nuk kryejnë një vepër penale të re në tre vitet e ardhshme. Ndërkohë si person juridik Spitali i Tetovës u dënua me një gjobë prej rreth 16 mijë eurosh. Kurse mjeku Boban Vuçevski, i cili ka qenë në shërbim natën kur shpërtheu zjarri, në gjykimin e shkallës së parë u lirua nga akuza se nuk ka vepruar sipas rregullave shëndetësore.

Pas vendimit, Prokuroria e Tetovës, e pakënaqur me aktgjykimin, e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit në Gostivar, ku dje kjo e fundit solli vendim që rasti të kthehet në rigjykim për ish-drejtorët, Besimin e Etemin, ndërsa për mjekun, Boban Vuçevski, mbetet mendimi i Gjykatës së Tetovës, ku i njëjti lirohet nga të gjitha akuzat. (

Marketing