Rasti “Titanik 3”, Guri: Rasti është politik, nuk ka vepër penale

Procesi gjyqësor për rastin “Titanik 3” me akuzën për shkatërrimin e materialit zgjedhor në vitin 2013, ka vazhduar me dhënien e dëshmisë së të akuzuarit, Ismet Guri.

Marketing

Ai para trupit gjykues tha se gjatë numërimit dhe publikimit të rezultateve të votimit nuk ka pasur asnjë problem apo vërejtje as nga anëtarë partiakë, vëzhgues të asociacioneve joqeveritare e as nga vëzhgues ndërkombëtarë.

Sipas tij, ankesa e parë është dorëzuar tre ditë pas zgjedhjeve edhe atë nga VMRO-DPMNE, e cila nuk ka pasur interes në këtë rast. Guri tha se si sekretar i Komisionit komunal zgjedhor, nuk ka pasur të drejtë të marrë vendime apo të nënshkruajë ndonjë dokumentacion.

Ai tha se BDI në zgjedhjet lokale të viti 2013 ka pasur epërsi me rreth 11 mijë vota dhe akuza se janë përmirësuar rezultatet për 100 vota nuk ka logjikë.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës të Ejup Alimit, Guri u përgjigj se atë natë nuk e ka parë asnjë herë, Ejup Alimin, përderisa ka qenë në ndërtesën e komunës, e as nuk ka informacion nëse i njëjti ka qenë atje. Pas seancës gjyqësore, ai për mediat u shpreh se bëhet fjalë për rast politik dhe se këtu nuk ka vepër penale.

“Kush nga 40 dëshmitarët tha se ka pasur ndonjë problem, se ka pasur gjëra të dhunshme apo rrahje? Nuk ka as ankesa e as parashtresa nga askush. Të akuzuarit u ndryshuan, u bënë dëshmitarë, Ejup Alimi u bë deputet e më pas i akuzuar. Kjo definitivisht është politike dhe nuk ka asnjë vepër penale. U vërtetua rrethi i parë dhe i dytë. E keni dëgjuar dëshmitarin kur pranon se ai vetë i ka përmirësuar e tani ai është dëshmitar, ndërsa unë i akuzuar”,- tha i akuzuari, Ismet Guri.

Guri kishte vërejtje edhe për mungesën e ekspertizë grafologjike që, sipas tij, ka qenë e patjetërsueshme në këtë rast.Gjykimi vazhdon më 18 nëntor.

Marketing