Daniella Gruevska, njëra prej personave që është gjetur në listën e donatorëve të VMRO-DPMNE-së në vitin 2011, në dëshminë e saj në seancën gjyqësore për rastin “Titanik” mohoi të ketë paguar 60 mijë denarë në llogari të partisë. Ajo sqaroi se atëherë ka qenë e papunësuar dhe asnjëherë nuk ka dhuruar para për partinë.
“Unë nuk kam paguar e as që i kam dhënë dikujt mjete ta bëjë atë. Se kam donuar 60 mijë denarë për herë të parë mora vesh, kur mora ftesë nga prokuroria. Në internet e gjeta listën e donatorëve të VMRO-së dhe aty e pashë emrin tim”,- tha ajo.
Edhe Natalija Galeva mohoi të ketë dhuruar donacion për VMRO-DPMNE-në dhe është befasuar kur e ka parë emrin e saj në listën e partisë. “Asnjëherë përmes bankës nuk kam paguar mjete për donacion për ndonjë parti politike. Në PSP e kuptova se ekziston fletëpagesë në emrin tim si donacion në vlerë prej 60 mijë denarë”.
Edhe dëshmitari i tretë, Stojanço Arsov, tha se nuk ka parë pagesë për donacion për as një parti. Por, Arsov zbuloi moment tjetër kur në VMRO i ka lënë të dhënat personale në fletëpagesë të zbrazët.
“U thirra në parti nga Beti Kuzmanovska të plotësoj fletëpagesë me të dhëna personale. Më është thënë se do të paguhen mjete si anëtarësim i anëtarëve të partisë. Çdo nënshkrim në fletëpagesë blanko është i rrezikshëm, por unë nuk e kam paramenduar se më keqpërdorin.”,- tha ai, por shuma nuk i kujtohej.
Goran Krstevski – i punësuar në Drejtorinë e Doganave, tha se asnjëherë nuk ka qenë në bankë për të paguar donacion në fletëpagesë për parti politike, por ka dhënë donacione në kasën partiake. Sipas akuzës, qindra fletëpagesa me nënshkrim dhe shumë të njëjtë prej 60 mijë denarë janë dëshmi nga financimi jolegal i VMRO-DPMNE-së në vitin 2011 dhe 2013.