Reagimi i ASH-së ndaj vendimit të ministrit Minçev

Vendimi i fundit i Ministrit për administratë, Goran Minçev, për ndryshimin e përqindjes së përfaqësimit sipas Balancuesit, është edhe një hap i radhës për realizimin e skenareve të paralajmëruara që nga ditët e para të ardhjes së kësaj Qeverie për degradimin e shqiptarëve në vend. Me këtë vendim, përfaqësimi i shqiptarëve në të gjitha institucionet do të ulet nga 29,52% në 24,30%. Kjo nënkupton që për vite me radhë në të ardhmen, nuk do të punësohet asnjë shqiptar në ato institucione ku përqindja e shqiptarëve ka arritur 24% e që në praktikë do të thotë se një numër i madh i institicioneve do t’i kenë dyert e mbyllura për shqiptarët.
Hapat e shpejtuara të Qeverisë jolegjitime për degradimin dhe shfuqizimin e paralajmëruar të Balancuesit janë tejet shqetësuese dhe paraqesin goditje të rëndë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe kohezionit ndëretnik në vend.
Pas kësaj, partitë shqiptare në Qeveri nuk do të duhej të qëndronin edhe sikur të ishin fitues të zgjedhjeve, e jo më si humbës, pa legjitimitet dhe të degraduar. Ju bëjmë thirje partive shqiptare që të braktisin këtë Qeveri e cila në çdo veprim po shkel dinjitetin tonë si shqiptarë.

Marketing

Naim Bajrami, Nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët dhe ish ministër i Ministrisë për Administratë dhe Shoqëri Informatike.