Zyra e Presidentes së Kosovës, ka reaguar në lidhje me rastin e tmerrshëm ku një e moshuar është rrahur nga disa infermiere në shtëpinë për të moshuarit në Pejë.
Përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidentes thuhet se, dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet.
Po ashtu thuhet se, t’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë, duke shtuar se ata janë pjesë më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë.
Komunikata e plotë:
Deklaratë e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, për dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës në një strehimore në Pejë
Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë.
Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit.
E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme.
Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme.