Reagon BFI për Muzeun në Manastir: E papranueshme, të ndërpritet menjëherë çdo veprim që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas publikimit të informacionit se në Manastir është bërë hapja solemne e Manastirit të trashëgimisë krishtere dhe islame, ku është integruar edhe Xhamia Jeni, transmeton TV21.

Marketing

Nga BFI thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze.

Kanë përmendur historinë e xhamisë Jeni duke numëruar edhe përpjekjet e tyre për të rikthyer xhaminë nën menaxhim të BFI-së, por që shtojnë se asnjëherë nuk u realizua kjo kërkesë e tyre.

Për këtë arsye siç thonë nga BFI, e kundërshtojnë këtë iniciativë.

“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Jeni xhamisë në “muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë Jeni xhaminë në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore”, thonë mes tjerash nga BFI, transmeton TV21.

Nga institucioni më i lartë fetar islam në RMV kujtojnë se “vetëm përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë të të gjithëve mund të ndërtohet një shoqëri e civilizuar dhe tolerante.

“Me respekt dhe shpresë për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë që të ruhet bashkëjetesa dhe paqja si vlerë e çmuar në shtetin tonë”, përfundojnë nga BFI-ja.

Marketing