Manchester Unitedi nuk ka transferuar zëvendësues për Paul Pogban, mirëpo Zinedine Zidane nuk i ka humbur shpresat. Pas sulmeve të fundit nga tifozët, francezi është penduar që nuk kishte tentuar më shumë të largohet.
Trajneri Zinedine Zidane ende ka shpresa se Real Madridi do ta arrijë transferimin e Paul Pogbas me një tentim të fundit, përkundër që vetëm edhe katër ditë kanë mbetur para se të mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane
Real Madridi ka kohë deri në orën 23:59 të hënën për ta arritur një marrëveshje me “Djajtë e kuq”. Do të duhet ndonjë mrekulli për t’u arritur një marrëveshje, mirëpo Zidane e dëshiron me ngulm Pogban në skuadër, pasi që ai tani po detyrohet të luajë me dy futbollistë të cilët kishte shpresuar se do t’i shiste këtë verë – Gareth Bale dhe James Rodriguez.
Megjithatë, transferimi i mesfushorit francez në Santiago Bernabeu varet nga Bale e Rodriguez, pasi që Real Madridi duhet t’i shesë ata fillimisht për t’i grumbulluar paratë që Manchester Unitedi po i kërkon për Pogba.
Reagimi ndaj kritikave dhe sulmeve
AS raporton se Pogba e ka humbur besimin e disa bashkëlojtarëve të tij dhe është më i izoluar se kurrë më parë, pasi Romelu Lukaku iu bashkua Interit. Gjërat nuk kanë shkuar mirë as në fushën e lojës.
Humbja e penalltisë në ndeshjen kundër Wolves solli kritika dhe thirrje raciste ndaj futbollistit. Ai e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta dhënë reagimin e tij ndaj këtyre sulmeve.
“Paraardhësit e mi dhe prindërit e mi vuajtën në mënyrë që gjenerata ime të jetë e lirë sot, të punojë, të udhëtojë me autobus, të luajë futboll. Ofendimet raciste janë injorancë dhe vetëm më bëjmë më të fuqishëm dhe më motivojnë të luftoj për gjeneratën tjetër”, ka thënë Pogba.
Tani, Pogba është penduar që nuk tentoi më shumë ta siguronte transferimin në Real Madrid. Komentet që ai i bëri në fillim të verës, kur tha se ishte në kërkim të një sfidë të re, janë lënë në harresë.
Manchester Unitedi nuk e transferoi askënd për ta zëvendësuar francezin nëse ai largohet dhe tani klubet e Premierligës nuk mund të blejnë më lojtarë, që nga 8 gushti. Kjo gjë i komplikon planet e Zidanit.
Por, në anën tjetër, Manchester Unitedi nuk është në këtë edicion të Ligës së Kampionëve dhe investimi i 170 milionë eurove në Pogban mund të rezultojë i duhuri për madrilenët, përderisa Ole Gunnar Solskjaer vazhdon ta rindërtojë skuadrën e tij.