Real Madridi ka zgjedhur zëvendësuesin e Carlo Ancelottit, sipas raportimeve të fundit nga Spanja.
Ancelotti ka qenë në krye të ‘Los Blancos’ në periudhën e tij të dytë në klub që nga viti 2021. Më herët ai kishte drejtuar klubin mes 2013 dhe 2015.
Ai e fitoi Ligën e Kampionëve në periudhën e parë dhe përkundër faktit që u shkarkua, ai u riemërua si trajner për herë të dytë nga presidenti Florentino Perez.
Kjo periudhë e dytë ka qenë tejet e suksesshme për të, pasi Ancelotti ka fituar edhe dy tituj të Ligës së Kampionëve e po aq herë e ka fituar edhe kampionatin.
Ky sezon ka pasur një përzierje rezultatesh për madrilenët. Ata gjenden në pozitën e dytë në La Liga mbrapa Atletico Madridit, por kanë humbur dy ndeshje ndaj Barcelonës në dy gara të ndryshme.
Në Ligën e Kampionëve ndërkohë, Reali ka fituar vetëm tri nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara dhe nuk e ka ende të sigurt kualifikimin tutje.
Kjo ka bërë që të përhapen disa thashetheme për të ardhmen e Ancelottit, me Real Madridin që njihet si një klub që shkarkon trajnerin nëse dështojnë të fitojnë trofe.
Sipas një raportimi nga Mundo Deportivo, zëvendësuesi i tij tashmë është identifikuar.
Ish-trajneri i Realit, Santiago Solari, ishte i pranishëm në humbjen me rezultat 2-0 ndaj Liverpoolit në ‘Anfield’ dhe atij raportohet se i është komunikuar nga drejtuesit që të jetë i gatshëm në rast se ata vendosin të ndajnë rrugët me Ancelottin.
Solari më parë kishte drejtuar Real Madridin nga tetori i 2018 deri në mars të 2019, duke humbur tetë nga 32 ndeshjet që ishte në krye para se të shkarkohej.
Ai megjithatë ka mbajtur kontaktet me klubin pas largimit të tij, teksa ka luajtur për ta mes viteve 2000 dhe 2005.