Real Madridi përgatit ofertë të madhe për Dybalën

Real Madridi është i gatshëm t’i shpenzojë deri në 105 milionë euro për ta bindur Juventusin ta shesë yllin e skuadrës, Paulo Dybalën. Madrilenët janë të gatshëm t’i shpenzojnë kaq shumë para për ta fituar garën kundër Manchester Cityt për transferimin e argjentinasit.

Marketing

25-vjeçari ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e “Zonjës së Vjetër”, që kur u transferua atje në vitin 2015. Gjatë kësaj kohe me klubin italian, ai i ka shënuar 54 gola në 115 paraqitje, transmeton Gazeta Express.
Drejtuesit e “Los Blancos” duan ta rindërtojnë skuadrën e klubit madrilen në fund të këtij sezoni, pasi që tanimë shpresat për ta fituar titullin e La Ligës pothuajse janë shuar. Sulmuesi argjentinas është një ndër lojtarët që Real Madridi synon t’i transferojë gjatë verës.

Oferta e madhe që Real Madridi ka përgatitur për Dybalën do ta zhgënjejë Pep Guardiolën pasi që ai ka qenë tifoz i madh i argjentinasit për një kohë të gjatë dhe dëshironte ta blinte atë gjatë afatit kalimtar të verës.

“Real Madridi po kërkon ta krijojë skuadrën e re të Galaktikëve dhe Dybala është njëri ndër lojtarët që ata e konsiderojnë si prioritet për afatin kalimtar të verës. Ka pasur shumë interesim për të gjatë vjetëve të fundit”, ka thënë një burim i The Sun.

“Mirëpo, ai gjithmonë ka qenë i interesuar të transferohet në Real Madridi. Manchester City e ka kërkuar atë tash e një kohë të gjatë. Pep ishte duke e mbikëqyrur atë edhe vet gjatë kohës sa ishte në Bayern Munich”.