Reali i është finalisti i parë i Superkupës së Spanjës, që këtë vit për herë të parë në histori po diskutohet nga 4 skuadra, ku përveç madrilenëve marrin pjesë edhe Barcelona, Valencia e Atletico Madrid, ndërsa po organizohet në Arabinë Saudite.
Gjysmëfinalja e parë ishte ajo mes “Los Blancos” dhe Valencias dhe u zhvillua në stadiumin “Mbreti Abdullah” në Jeddah, ndërsa madrilenët arritën të triumfojnë me rezultatin e pastër 1-3, në një ndeshje të dominuar totalisht.
Toni Kroos zhbllokoi sfidën për të besuarit e Zinedine Zidane në minutën e 15’, ndërsa në të 39-ën ishte fantazisti spanjoll Isco, që shënoi edhe golin e dytë në portën e Valencias.
Në pjesën e dytë gjeti rrugën e rrjetës edhe kroati Luka Modric, ndërsa në minutat shtesë arbitri akordoi një penallti për Valencian me ndihmën e VAR-it, të cilën e shndërroi në gol Dani Parejo.
Nesër në mbrëmje do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja e dytë mes Barcelonës dhe Atleticos së Madridit, me fituesen që do të diskutojë trofeun në fundjavë përballë Realit të Madridit.