Rebalanci i buxhetit, debat me akuza mes opozitës dhe pozitës

Me akuza të ndërsjella ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare, kaloi debati mbi rebalancin e buxhetit. Edhe përskaj se shumë projekte ishin planifikuar me buxhetin e vitit 2018, shumë prej tyre, sipas Aleancës për Shqiptarët, nuk janë realizuar. Sipas kësaj partie, edhe kjo qeveri, ajo paraprake, shqiptarëve nuk po ua jep hisen që u takon.

Marketing

Nga ana tjetër, nga BDI thonë se asnjëherë shqiptarët nuk janë lënë anash pasi projektet ekonomike të BDI-së janë shndërruar në projekte qeveritare, të cilat me sukses zbatohen, derisa akuzoi liderin e ASh-së, Selën, se ka futur komunën e Strugës në borxhe.

“Gjatë qeverisjes mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kishte një shpërndarje në baza etnike të buxhetit. Për këtë arsye qytetarët e Maqedonisë i varën shpresat te qeveria e re, te kryeministri Zaev dhe masat që duhej të merrte qeveria e re ishin: decentralizimi, masat për zbutjen e papunësisë, zhvillimi i ekonomisë, forcimi i drejtësisë, reformat në administratën publike, zhvillimi i barabartë rajonal etj. Për fat të keq shumë pak ka realizim në këtë drejtim dhe mund të them që kjo qeverisje aspak nuk dallon nga qeverisja e kaluar”,- tha Syrija Rushidi nga Aleanca për Shqiptarët.

“Thatë që me VMRO-në kemi bërë programe etnike, jo nuk është e vërtetë. Gjithnjë po e potencoj, edhe tash, se BDI ka pasur programin e saj edhe politik edhe ekonomik, dhe ai program pastaj ka qenë program i qeverisë i destinuar për t’u realizuar në mandatin aktual. Meqë është udhëhequr komuna e Strugës nga lideri juaj, e keni marrë pa borxhe dhe në periudhën katërvjeçare keni gjeneruar borxhe prej 4 milion euro”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.

VMRO-DPMNE ndërkohë akuzoi BDI-në si fajtore kryesore për atë se gjendja te komunat shqiptare është e mjerueshme, kurse tha se BDI çdoherë ka luajtur rolin e viktimës para elektoratit të vet. Deputeti Ismaili reagoi, duke thënë se për atë se sa është punuar te shqiptarët, vërtetojnë votat në çdo cikël zgjedhor, të cilat nxjerrin BDI-në fituese te blloku shqiptar.

“Shkoj shpesh në Tetovë dhe është pak për të ardhur keq, pasi që shoh se ai është qytet i cili jeton në kaos urbanistik, apo kaos komunal. Megjithatë, BDI është në pushtet si në aspektin lokal po ashtu edhe në atë qendror. Shumë kohë BDI nxirrej në atë se VMRO është fajtore për atë se nuk ndërtohet në Tetovë, Kumanovë, Likovë etj.. Mendoj që kjo periudhë mbaroi, tani me siguri duhet të presim edhe një gjysmëvjetor që BDI të akuzojë LSDM-në se nuk po ndërtohet te shqiptarët. Por, koleg, Rexhail Ismaili, mendoj se duhet të përballeni me atë se Tetova është qyteti i dytë apo i tretë më i madh në Maqedoni dhe nuk guxon të jetojë ashtu”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE.

“Ne asnjëherë nuk kemi akuzuar VMRO-në apo LSDM-në dhe parametër më i mirë për këtë është popullata. BDI do të jetë pjesë e pushtetit, apo subjekt politik, i cili do të marrë përgjegjësi dhe rolin e vet në shoqëroi deri sa populli shqiptar dhe votuesit tjerë, të cilët e votojnë BDI-në, i japin primatin dhe këtu as un as ti nuk kemi faj. Do të thotë BDI çdoherë del me program, qoftë politik, qoftë ekonomik dhe del subjekti më i votuar te shqiptarët”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.

Sipas propozimit të Qeverisë, rebalanci i buxhetit ka ulur të ardhurat dhe shpenzimet me 0.5 për qind. Deficiti buxhetor qëndron në 2.7 për qind, ndërsa parashikimi për rritjen ekonomike është reviduar në 2.8 për qind nga 3.2%. /TVM2

Marketing