Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka reaguar me deklaratat e zyrtarëve serbë se Masakra e Reçakut në Kosovë ishte një fabrikim dhe gënjeshtër.
Cakaj për këtë e ka krahasuar presidentin serb me ministrin e Propagandës në Gjermaninë naziste, Paul Joseph Goebbels, njofton Klan Kosova.
Ai duke thënë se kjo është skandaloze kërkoi nga akterët ndërkombëtarë që të dënojnë këto përbuzje që po iu bëhen viktimave të kësaj masakre.
“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviqit tash është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze! Akterët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!”, ka shkruar Cakaj në Twitter.
Deklaratat e serbëve erdhën pas shqiptimit të dënimit të ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në qeverinë e kaluar, Ivan Todosijeviq, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.
Dje presidenti Aleksandar Vuçiq tha se ajo çka ndodhi në Reçak ishte “një krim i trilluar” duke pyetur nëse edhe ai do të dënohej për këtë deklaratë.
Po ashtu, drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha: “Ne jemi të gjithë Ivan Todosijeviqa”.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin ka thënë mbrëmë se Reçaku ishte montuar dhe përgatitur për të justifikuar krimin e bombardimeve të NATO-s, por që shqiptarët e Kosovës shqetësohen nga e vërteta e paraqitur nga presidenti serb Aleksandar Vuciq dhe do të dëgjohet edhe shumë herë.
Paul Joseph Goebbels ishte një politikan gjerman nazist dhe ministër i Rajhut të Propagandës së Gjermanisë naziste nga viti 1933 deri në 1945. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të devotshëm të Adolf Hitlerit dhe ishte i njohur për aftësitë e tij e të folurit në publik dhe antisemitizmin e tij thellësisht virulent, që ishte i dukshëm në pikëpamjet e tij të shprehura publikisht.