Reçicë e Kumanovës, banorët përleshen me policinë, s’lejojnë groposjen e derrave me Murtajë Afrikane

Incident në fshatin Reçicë të Kumanovës. Banorët e këtij fshati u përleshën me policinë pasi nuk lejojnë që kamionët e Agjencisë së Veterinarisë të hynë në fshatin e tyre. Ata bllokuan rrugën rajonale në hyrje të fshatit. Sipas dëshmitarëve ka edhe të arrestuar, ndërsa banorët kanë vendosur të mos ndërpresin bllokadën deri në lirimin e tyre. Policia ndaloi disa prej banorëve për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Sipas banorëve fërkime me policinë kanë pasur edhe dje pasdite por dhe sot, pasi që në afërsi të vendbanimit të tyre po groposen një numër i madh i derrave të ngordhur nga sëmundja e Murtajës Afrikane. Ata druajnë që ambienti i tyre do të kontaminohet, nga kjo sëmundje dhe kundërshtojnë ashpër aksionin.
Alsat kontaktoi me Agjencinë e Veterinarisë, nga ku thanë se kanë dhënë urdhër për asgjësimin e derrave të infektuar nga virusi që shkakton sëmundjen e Murtajës Afrikane te kafshët. Sipas këtij institucioni banorët nuk duhet të shqetësohen sepse ky virus nuk bartet tek njerëzit, kurse derrat janë marrë nga fermerët e fshatit tjetër të Kumanovës, Tromegjë. Agjencia e Veterinarisë tha se lokacionin e përcakton vet komuna dhe procesi i groposjes bëhet me dezinfektim përkatës. /Alsat.mk

Marketing
Marketing