Reduktohet transporti publik në Shkup, transportuesit privat kërkojnë shlyerjen e borxhit

Transporti publik në Shkup nga sot do të reduktohet. Disa nga autobusët privatë do të lëvizin vetëm në mëngjes, nga ora pesë. Një autobus do të drejtojë vetëm një ndërrim, në një linjë.

Marketing

Bëhet fjalë për autobusët me numrat 45, 23, 63, 73, 61, 63, 22, 52, 54, 19 dhe 20. Më pas autobusët do të qëndrojnë në garazh, ndërsa shoferët do t’u bashkohen kolegëve të tyre që nuk do të lëvizin.

Disa nga transportuesit privatë bëjnë të ditur se sot do të kenë takim me drejtorin e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik (NQP) Dragi Kushovski dhe sekretarin e Qytetit të Shkupit. Takimi, siç është paralajmëruar, duhet të mbahet në ambientet e NQP “Shkupi” në Autokomandë.

Transportuesit privatë kërkojnë shlyerjen e borxhit dhe rritjen e çmimit, i cili siç theksojnë është i tetë viteve më parë, përkatësisht i vitit 2017. Nga ana tjetër, kompanisë së transportit publik i mungojnë autobusët për të mbuluar orarin dimëror, i cili nis sot.

Drejtori i Ndërmarrjes së Transportit Publik, Dragi Kushovski, tha se nuk kanë autobusë të mjaftueshëm për të plotësuar orarin veror, e jo atë dimëror, dhe u bëri thirrje institucioneve që të përgatiten për rinovimin e autobusëve të NQP-së.

Për tejkalimin e problemeve, më 22 gusht është mbajtur takimi i kryetares së qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, me përfaqësues të grupeve të këshilltarëve në Këshillin e Qytetit të Shkupit, pas së cilës është rënë dakord që këshilltarët do të mbështesin konvertimin e fondeve për riparimin e 30 autobusëve të NQP-së.

Marketing