Referendumet, Sela: Shqiptarët bojkotuan monoetnicitetin, por do të votojnë për BE-në

Republika e Maqedonisë shënon 27-vjetorin e referendumit të vitit 1991, në të cilin qytetarët e Maqedonisë u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran….

Marketing

Mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendum, pozitivisht iu përgjigjën pyetjes “A jeni për një Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Referendumi u bojkotua nga shqiptarët, të cilët në shteti e ri e gjetën veten të përjashtuar e me më pak të drejta sesa kur vendi ishte Republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.

“Në referendumin e vitit 1991, shqiptarët u përjashtuan nga procesi. Pala maqedonase reklamonte një shtet monoetnik, shqiptarët nuk u bënë pjesë e procesit, nuk u konsultuamn fare, normalisht nuk u mbeti gjë tjetër veçse ta bojkotojnë referendumin… Pse ishin shqiptarët të përjashtuar nga procesi i zhvillimeve të shtetit dhe pasi shteti u zhvillua në aspekt monoetnik ndodhi edhe lufta e vitit 2001, që ndryshoi disa procese ku sot shqiptarët janë pjesë e institucioneve më të rëndësishme në shtet”, tha Ylber Sela, analist politik.

Maqedonia gjendet para një tjetër referendumi historik, atij që do të përcaktojë qartë ardhmërinë e qytetarëve të tij. Padyshim që në këtë përcaktim për ardhmërinë, rol të padiskutueshëm kanë edhe shqiptarët, që ndryshe nga viti 1991, tashmë fuqishëm pritet të përkrahin referendumin që do të jetësojë aspiratat e tyre për barazi në shtetin ku jetojnë, sepse vetë parimi I BE-së është barazi për të gjithë qytetarët dhe Maqedonia me anëtarësimin e saj në BE, patjetër duhet ta respektojë këtë postulat të shenjtë të BE-së.

“Kemi një politikë mbarëshqiptare e cila është e përcaktuar për konceptin euro-atlantik dhe të gjitha këto fenomene bëjnë që shqiptarët në mënyrë masovike ta përkrahin këtë referendum të 30 shtatorit, sepse orientojnë Maqedoninë drejt strukturave euro-atlantike. ..Ne duhet të kontribuojmë, qoftë si qytetarë I thjeshtë, qoftë ata në pushtet, qoftë ata në opozitë duhet të japin maksimumin që ne të ndërtojmë një shtet të përbashkët dhe të bëhemi pjesë e familjes evropiane dhe vlerave europiane, sepse duke u anëtarësuar në NATO dhe BE edhe shqiptarët do të ndihen më mire në këtë shtet dhe në rajon, tha Sela.

Pas 27 viteve të pavarësisë, anëtarësimi në BE dhe NATO, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe cilësisë të jetës, mbeten qëllimet kryesore për vendin. Por rrugëtimi historinë nuk përfundon me rezultatin e referendumit. Ai është vetëm pikënisja e një rruge të gjatë reformuese institucionale dhe shoqërore.

Marketing