Referendumi për emrin, Zaev: Mundësi historike drejt BE-së e NATO-s

Për referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni, LSDM-ja do të mundohet të hyjë në koalicion me disa parti politike, sepse qëllimi i saj është që votimi të kalojë në atmosferë sa më miqësore dhe tërheqëse për qytetarët, ndryshe nga çfarëdolloj tjetër procesi zgjedhor.

Marketing

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kërkon që secili të ketë mundësinë ta tregojë qëndrimin e tij, por nënvizon se Maqedonia rrallë herë merr një mundësi të tillë, që përmes një referendumi të suksesshëm të inkuadrohet në familjen europiane.

“Ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë historike, sepse nuk është e lehtë pas 27 viteve të arrihet një marrëveshje e tillë e ndjeshme me Greqinë, që na i hap dyert drejt BE-së, drejt perspektivave më të mira, prosperitetit ekonomik, mbajtjes së të rinjve në shtet, ruajtjen e tërësisë territoriale të këtij vendi”, citohet të ketë thënë Zaev nga “Deutsche Welle”.

VMRO-ja në opozitë, ndërkohë, vazhdon të bëjë fushatë kundër referendumit. Madje, sipas saj, nëse nisma nuk merr përkrahjen e qytetarëve më 30 shtator, atëherë Zaev do të jetë tërësisht i delegjitimuar dhe duhet të largohet nga pushteti.

Partitë parlamentare shqiptare janë shprehur se do të mbështesin pozitivisht referendumin për emrin, pasi me këtë hapet rruga e anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. Ato do të jenë pjesë e fushatës, duke i bërë thirrje elektoratit të tyre që të dalin për të votuar pro.

Marketing