Referendumi, roli i VMRO-së mbetet i panjohur

Grupet e punëve të partive gjatë kësaj fundjave kanë kontakte telefonike në përpjekje për t’i lëvizur gjërat nga pika zero lidhur me referendumin. Por, mundësia që këtë fundjavë të merren vesh është e vogël, duke pas parasysh afatin e shkurtër deri të hënën për kur dhe është paralajmëruar se Kuvendi do ta shpall referendumin. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se gjithçka ka mbetur në atë që u dakorduan në takimin e fundit të liderëve të hënën e kaluar kur pushteti dhe opozita nuk arritën të merren vesh për pyetjen që do të parashtrohet në referendum.

Marketing

“Ne qëndrimin tonë lidhur me pyetjen e kemi thënë më shumë herë, ajo duhet të jetë e qartë dhe sipas ligjeve dhe parimeve evropiane. Për momentin, siç dini, nuk ka kurrfarë lëvizje nga pika ku ngelëm në takimin e fundit të liderëve”, deklaroi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Me këtë partia opozitare ende nuk tregon qartë se cili do jetë roli i saj në referendum; do të bojkotojë, do të ftojnë të dilet në votime, do të ftojnë të votohet kundër apo për. Nga LSDM-ja në pushtet konfirmojnë se grupet e punës janë aktive, por pa shumë shpresa për sukses.

“Gjatë fundjavës po bëhen përpjekje për konsultime mes grupeve të punës, por ende nuk ka ndonjë lëvizje drejt rezultatit përfundimtar”, thonë nga LSDM.

Ditëve të kaluara kryeministri Zaev, ndërsa dje zëvendëskryeministrja Radmila Sheqerinska deklaruan se vendimi i qytetarëve në referendum do të jetë detyruese. Por nëse nuk arrihet censusi, për marrëveshjen me Greqinë do të vendosë Kuvendi. /alsat-m/

Marketing