Referendumi, shqiptarët çelësi i suksesit

Marrëveshja Shkup-Athinë për ndërrimin e emrit të shtetit, do të bëhet e plotfuqishme vetëm me mbajtjen e një referendumi popullor, në të cilin qytetarët do të shprehnin mendimin tyre të hapur, me çka partitë politike do të hiqnin barrën e përgjegjësisë për pasojat eventuale të kësaj marrëveshjeje. Prandaj, jo pa arsye ky referendum, po kualifikohet si një ndër ngjarjet më madhore politike në vend, që po tërheq edhe vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, shkruan gazeta KOHA. Pothuajse në çdo paraqitje të kryeministrit Zave dhe të zëvendëskryeministrit për çështje evropiane Bujar Osmani përfshirë dhe profilet e tyre në Facebook, referendumi është fjala kyçe.

Marketing

Edhe pse referendumi po rangohet si ngjarje politike me shumë prioritet, Qeveria apo me saktë partitë në pushtet, LSDM-BDI-LB-PDSH, megjithatë, zyrtarisht ende nuk kanë filluar përgatitjet. Në kuadër të këtyre përgatitjeve parashihet që në Parlament shumë shpejt të kalojë ligji për referendumit, qëllimi i të cilit është ulja e censusit nga 50 plus 1 % në 40 + 1 përqind.

Partitë në pushtet nuk do ta kenë problem për numrat meqë i kanë më shumë se 61 vota sa duhen për të kaluar ndryshimet ligjore. Sipas informative jozyrtare të gazetës KOHA që vijnë nga Qeveria, referendumi do të mbahet në fund apo më shumë në fillim të tetorit, ndërsa pyetja e mundshme mund të jetë kjo: A jeni pro apo kundër marrëveshjes për emrin e ri të shtetit, dhe shtesën e pyetjes “që do të hapë rrugën për anëtarësim në NATO dhe në BE”.

PARTITË NË PUSHTET, ME FUSHATË TË PËRBASHKËT

Gjithsesi do të jenë partitë politike ato që në fund do të japin. Mbi të gjitha referendumi do të jetë dh një beteje e fortë mes VMRO-së dhe LSDM-së ndonëse kjo e fundit ka përparësinë e të qenit në pushtet, përkrahjen e faktorit politik shqiptar dhe përkrahje e SHBA dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Partitë në pushtet BDI-LSDM siç kanë paralajmëruar më herët do të zhvillojnë fushate të përbashkët ndërkaq ende nuk dihet nëse pjesë e saj do të jenë partnerët e rinj qeveritar PDSH dhe Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin.

“Republika e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në NATO dhe BE. Në këtë drejtim ne si Lëvizje BESA do të bëjmë gjithçka që është në mundësinë tonë që ky proces të përmbyllet me sukses”, tha për KOHA, zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Orhan Murtezani. Nëse do të jenë pjesë e fushatës së përbashkët me partitë tjera në pushtet Orhan Murtezani thotë se kjo çështje ende nuk është diskutuar në parti.

Aleanca për shqiptarët dhe lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin po ashtu do të jenë pro marrëveshjes përemrin në referendum dhe nuk e përjashtojnë bashkëpunimin me njëra tjetrën gjatë fushatës para mbajtjes së referendumit. Njëkohësisht këto parti përjashtojë çdo mundësi të një fushatë të përbashkët pro referendumit me partitë në pushtet.

“Qëndrimi jonë është i njohur tashmë se do të punojmë pro referendumit duke e konsideruar marrëveshjen për emrin si jetike për të ardhmën e vendit. Me këtë rast do të përkrahim edhe ndryshimet kushtetuese në kohën e duhur lidhur me emrin. Me BDI-në dhe LSDM-në në asnjë rast nuk mund të jemi pjesë e një fushate të përbashkët. Për detaje si do të jetë fushata jonë partiake do të vendosë Këshilli Qendror”, tha Flakron Bexheti. Nga ana tjetër Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin premton fushatë aktive për përfundim të suksesshëm të referendumit.“Lëvizja Besa do japë kontributin e saj maksimal për të afirmuar qëndrimet evropiane që referendumi të rezultojë i suksesshëm. Do të marrim pjesë aktive duke realizuar edhe fushatë pozitive për të arritur qëllimin final që është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE”, thotë Abdush Demiri nënkryetar i Lëvizjes BESA.

PARTITË SHQIPTARE, TË NDARA NË FUSHATË

Lidhur me qasje e shqiptareve në raport me referendumin, Profesori i së drejtës kushtetuese Mersim Maksuti pret që shqiptarët të marrin pjesë në mënyrë masovike në referendum dhe të deklarohen PRO marrëveshjes që parasheh ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë. “Nuk pres që partitë politike shqiptare të bëjnë fushatë të përbashkët për ndryshimin e emrit, ngase mjerisht, praktika na tregon se ato asnjëherë nuk kanë bërë strategji të përbashkët dhe nuk kanë qenë në funksion të interesit më të gjerë publik”, thotë për gazetën KOHA Mersim Maksuti.

Në rast të mbarimit me sukses të referendumit Mersim Maksuti thotë se meritat i atribuon vetë popullit shqiptar e jo partive politike shqiptare. “Vlen të theksohet se të gjitha partitë politike shqiptare duhet të japin kontributin e tyre në këtë drejtim dhe se askush nga ato nuk guxon të marrin përsipër meritat për një referendum të suksesshëm, ngase kjo do të jetë meritë vetëm e popullit shqiptar i cili është i përcaktuar fuqishëm me shpirt, për vlerat dhe orientimin e tij properëndimor. Lidhur më qëndrimet e ashpra të VMRO-së kundër Marrëveshjes për emrin Mersim Maksuti i sheh si qëndrime ende të pashkëputura nga vija politike e gruevizmit dhe largim nga proceset euro-integruese të vendit. “Z.Mickovski si i tillë, nuk paraqet vizion, shpresë për vendin dhe gjithnjë e më larg duket se do jetë pushteti i arritur nga ai”, thotë Mersim Maksuti.

Për ish diplomatin , Nano Ruzhin dështimi i referendumit do të thotë krizë e re ekonomike dhe e sigurisë në vend.

“Pas pranimit të ftesës këtë muaj, Maqedonia do të ketë nevojë të paktën një vit për t’u bërë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në rast se referendumi dështon, që do të thotë anëtarësim i pasuksesshëm në NATO, atëherë shteti do të gjendej përpara krizës ekonomike dhe të sigurisë, e cila, sipas tij, do të pasqyrohet në rajon”, ka thënë Nano Ruzhin për “Alsat-M”. Ish-ambasadori Ruzhin gjithashtu ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe, opozita duhet të luajë një rol konstruktiv dhe të mbajë përgjegjësi politike. Në këtë prizëm, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e bëri të qartë se pa një referendum të suksesshëm dhe pa zbatimin e marrëveshjes së emrit, Maqedonia ende nuk do të jetë në gjendje të bëhet një anëtar e re e Aleancës.

Në opinion maqedonas shumica e ekspertëve janë pro ndryshimit të emrit dhe kalimit me sukses në referendum. Njëri ndër personat më me peshë në qarqet akademike, ish kryetari Akademisë s shkencave dhe arteve Vllado Kambovski vlerëson se deklarimi në referendum në lidhje me çështjen e emrit mund të ketë sukses, gjegjësisht është me qëndrim pozitiv se ekziston vullnet për përfundim të tillë te subjektet politike.

Marketing