Referendumi, vetëm edhe katër ditë fushatë

Fushata për referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni për ndryshimin e emrit të shtetit, ka hyrë në javën e fundit, ndërsa zyrtarisht kampet pro, kundër dhe për bojkot të referendumit do të kenë në dispozicion vetëm edhe 4 ditë, pasi heshtja parazgjedhore në referendum fillon 48 orë para ditës së votimit.

Marketing

Kështu palët e interesuara për këtë proces aktivitetin e fundit do të mund ta realizojnë të enjten deri në mesnatë, ndërsa të premten dhe të shtunën heshtja do të mbizotërojë si në terren ashtu edhe në media.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar dje se gjithçka po rrjedh sipas planit të paraparë për organizimin dhe mbajtjen e referendumit. Disa afate tanimë janë përmbyllur, ndërsa disa të tjera po rrjedhin edhe në javën e fundit të fushatës.

Parmbrëmë në mesnatë ka përfunduar afati për paraqitjen e personave të sëmurë që duan të votojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa ditët në vazhdim KSHZ pritet të konfirmojë numrin e saktë të votuesve nga kjo kategori.

Të hënën deri në mesnatë do të jetë afati i fundit për akreditimin e mediave dhe organizatave të interesuara për monitorimin e referendumit. Deri në ditën e fundit të fushatës, më 27 shtator, Kuvendi si organizator i referendumit, nëse dëshiron ka të drejtë të dorëzojë propozimet për përfaqësues dhe zëvendës të tyre në të gjitha organet zgjedhore, këshillat zgjedhor, komisionet komunale apo në KSHZ.

Në aspekt teknik, KSHZ dje ka vendosur edhe për zëvendësimin e vulave të cilat janë jashtë përdorimit. KSHZ njoftoi dje për një numër të madh të mediave, organizatave jo qeveritare dhe përfaqësi diplomatike të cilat janë interesuar për të ndjekur procesin e votimit në referendumin e 30 shtatorit.

Deri më tani KSHZ ka akredituar media nga Australia, Britania e Madhe, Rusia, Austria dhe nga rajoni, si dhe ambasadat e Francës, Britanisë së Madhe, Turqisë, Kosovës, Hungarisë dhe Kuvendi i Këshillit të Evropës.

Qytetarët e vendit kutive të votimit do t’u drejtohen më 30 shtator nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 19, ndërsa ushtarët, të burgosurit, të sëmurët dhe diaspora do të votojnë një ditë më parë, të shtunën më 29 shtator.

Para tyre do të votojnë anëtarët e këshillave zgjedhorë të cilët do të dërgohen në përfaqësitë diplomatike për të realizuar votimin e diasporës.