Grupi shtetëror i Kinës “Sinopec” ka pezulluar bisedimet për një investim të madh petro-kimik dhe sipërmarrje të marketingut për gazin rus.
Lajmin e bën të ditur Reuters duke cituar burime, ndërsa lëvizja vjen në një kohë kur sanksionet për Rusinë rriten dhe Kinës iu “tërhoq veshi” në samitin e djeshëm të NATO-s, për qëndrimin që ka mbajtur deri më sot.
Lëvizja e rafinerit më të madh të naftës në Azi për të frenuar një investim që mund të shkonte deri në gjysmë miliardë dollarë për tregtimin e gazit rus në Kinë, vë në pah rreziqet edhe për partnerin më të rëndësishëm diplomatik të Rusisë, për sanksione të papritura madhore të udhëhequra nga Perëndimi.
Pekini ka shprehur vazhdimisht kundërshtime ndaj sanksioneve, duke këmbëngulur se do të mbajë shkëmbime normale ekonomike dhe tregtare me Rusinë dhe ka refuzuar të dënojë veprimet e Moskës në Ukrainë ose t’i cilësojë si pushtim.
Por në prapaskenë, mesa duket qeveria e vendit është e kujdesshme ndaj kompanive kineze që bien ndesh me sanksionet – ajo po i shtyn kompanitë të ecin me kujdes me investimet në Rusi, furnizuesi i dytë më i madh i naftës dhe ofruesi i tretë më i madh i gazit.
“Kompanitë do të ndjekin me ngurtësi politikën e jashtme të Pekinit në këtë krizë,” tha një ekzekutiv në një kompani shtetërore të naftës.
“Nuk ka asnjë hapësirë që kompanitë të ndërmarrin ndonjë iniciativë në drejtim të investimeve të reja.”