Reformat në drejtësi, Filkov: Të gjitha ligjet, në fazë përfundimtare

Reformat nuk janë dëshirë, por përgjegjësi. Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, i cili njoftoi mbi agjendën e reformës dhe projektligjet e përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në dhjetë muajt e fundit.

Ai theksoi se të gjitha ligjet që janë pjesë e kornizës reformuese janë përgatitur dhe janë në fazën përfundimtare të miratimit, ndërsa për gati dy të tretat është zhvilluar një zgjidhje krejtësisht e re ligjore.

“Këto reforma nuk janë vetëm obligim administrativ, por janë investim strategjik në sundimin e ligjit. Dua të porosis se bëjmë ndryshime cilësore dhe zgjidhje ligjore në interes të qytetarëve, jo sikurse edhe praktikat e deritanishme të miratohen në interes të individëve apo çfarëdo grupi me interes, që në të kaluarën i kanë miratuar ligjet në dëm të qytetarëve. Ajo kohë është pas nesh. Ligjet janë këtu, janë përgatitur dhe dorëzuar në mënyrë transparente dhe të publikuara. Ne nuk do të lejojmë që reformat të jenë viktimë e politikës ditore apo çfarëdo lloji inercioni burokratik.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.

Filkovi theksoi se Projektligji për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të miratohet në qershor të këtij viti, tashmë është përgatitur dhe është dorëzuar për mendim në Komisionin e Venedikut.

“Për herë të parë në mënyrë precize është rregulluar saktësisht procedura për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, e cila iniciohet me kërkesë të arsyetuar të së paku katër anëtarëve të Këshillit me të drejtë vote. Në procedurë është paraparë publiku dhe në asnjë rast nuk duhet të përjashtohet. Vendimi për shkarkim merret me të paktën tetë vota. Sqarim i termit jurist i dalluar, që do të thotë i diplomuar në drejtësi me të paktën 15 vjet përvojë pune apo profesor universitar i drejtësisë me më së paku 7 vjet përvojë me titull shkencor.”, – theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.

Ndryshime të tjera ligjore që kanë të bëjnë me përmirësimin e kornizës ligjore janë edhe Ligji për Prokurorinë Publike, i cili duhet të miratohet deri në dhjetor të këtij viti, Ligji për paga të Prokurorëve Publik me afat për t’u miratuar deri në qershor.

Në përfundim e sipër janë edhe plotësim-ndryshimet në Kodin Penal me afat miratimi deri në dhjetor 2025.

Marketing