Reformat në gjyqësor përplasin VMRO-në dhe LSDM-në

LSDM-ja akuzon VMRO-DPMNE-në se nuk qëndron pas premtimeve të saj për të shkarkuar Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve. Sipas partisë opozitare, Mickoski dhe partia e tij premtojnë diçka tjetër para ndërkombëtarëve dhe zbatojnë diçka tjetër brenda vendit. Sipas partisë së Filipçes, kjo është pjesa për të cilën qeveria ka rënë dakord në agjendën reformuese për Planin e zgjerimit e që ka të bëjë me 40 rekomandimet që BE-ja i dha vendit, për reforma në gjyqësor.

Marketing

“Ndërsa publikisht thotë se “nuk heq dorë nga shpërndarja e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial”, në një dokument zyrtar, të konfirmuar nga Qeveria e Mickoskit, ajo është pajtuar që të ndryshojë “vetëm anëtarët e Këshillit Gjyqësor të cilëve u ka skaduar mandati. Për disa herë radhazi Mickoski thotë një gjë brenda vendit dhe tjetër gjë bën jashtë. Apo ka vendosur të mos planifikojë zbatimin e Marrëveshjes me Komisionin Evropian dhe të braktisë reformat? Kurse reformat në drejtësi janë të mundshme vetëm duke zbatuar 40 rekomandimet e misionit vlerësues të BE-së, me mbështetjen dhe monitorimin e komunitetit ndërkombëtar”, thonë nga LSDM.

Por nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk kanë hequr dorë nga premtimi për shpërndarjen e këtyre dy trupave ndërkohë që thonë se kanë hasur në rezistencë.

“Nuk ka më prokurorë dhe gjykatës që janë në shërbim të elitave biznesore kriminale. Shpërndarja e Këshillit është masë nga e cila nuk heqim dorë. Ky ishte edhe premtimi ynë para qytetarëve për të cilin morëm dhe mbështetje. Ndërkohë duhet të kihet parasysh se rezistenca për këtë hap është më e madhe nga ata që u shërben sistemi i helmuar gjyqësor dhe atyre që u përshtaten institucione me besim më të ulët se 2%.”, theksoi  Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE..

VMRO-DPMNE-ja edhe në fushatë kishte thënë se ndryshimi i anëtarëve të Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve është i nevojshëm për reforma rrënjësore.

Ekspertët e Bashkimit Evropian pas dy vlerësimeve radhazi të punës së organeve të drejtësisë muaj më parë kishin bërë 40 rekomandime, edhe atë ndryshim në mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit gjyqësor, shkurtim të mandatit 6-vjeçar, përpilim të Kodit të etikës për sjelljen e anëtarëve, rishikim të procedurës për shkarkimin e kreut të Këshillit gjyqësor, vlerësim të procedurës për ngritje në detyrë dhe procedurës disiplinore./Alsat.mk