Të pasurit duhet të paguajnë më shumë, ndërsa tatimi personal për veprimtaritë e caktuara të zvogëlohet. Ky është qëndrimi i zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi, pas propozimit të ASHAM-it për idenë e rritjes së tatimeve, me çka do të mundësohej dalja më e shpejtë nga kriza e shkaktuar nga Covid-19.
“Nëse reforma tatimore nënkupton zbatimin e tatimit progresiv, unë e them atëherë pse jo, sepse thamë që në krizë disa të pasur u bënë edhe më të pasur dhe konsideroj që për shkak të besimit ideologjik duhet të kemi tatim progresiv. Të pasurit duhet të paguajnë ndërsa nëse mendohet për të varfrit tatim më i lartë, atëherë them jo, sepse atyre ju kemi borxh që të dalin nga pragu i varfërisë.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
Bytiqi u shpreh se mendohet që të tatimohen edhe pronat të cilat nuk shfrytëzohen, e që llogariten si luks.
“Mbesim në përqindjen e njëjtë në tatimin e pronës, por tatimojmë atë që nuk shfrytëzohet, apo ajo që hyn në pjesën e luksit, banesën e dytë, tretën e kështu me radhë, pasi këtu jemi kategorikisht se njerëzit duhet të patjetër të paguajnë, pasi kanë më tepër se që ju duhet apo kanë nevojë.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
Për këto reforma tatimore do të duhet të pritet të përfundojnë konsultimet që sipas të gjitha gjasave do të zgjasin rreth 6 muaj. Këto komente Bytiqi i bëri gjatë promovimit të projektit “Platforma nacionale për sipërmarrësit e grave”.