Reformë e paralajmëruar e sistemit pensional

Deficiti në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor vazhdimisht rritej viteve të fundit, pas çka u imponua çështja e qëndrueshmërisë së tij në periudhë afatgjatë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, vetëm në 10 vitet e fundit ai është rritur për 150 për qind dhe arrin më shumë se 19 miliardë denarë. Mendimet e ekspertëve, por edhe të institucioneve ndërkombëtare financiare për stabilizimin e Fondit ishin të ndryshme, prej atyre për uljen e deficitit përmes rritjes së kufirit të moshës për pensionim, rritjen e normës për kontribute pensionale ose kombinim të këtyre masave. Por, të gjithë janë dakord se, krahas ndonjërës prej këtyre masave, duhet të evitohet praktika për rritje ad hok të pensioneve, si dhe njëherësh të punohet në zmadhimin e rritjes ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja dhe më shumë të paguara të punës.

Marketing

Nga MPPS-ja paralajmëruan reforma përmes rritjes së kontributeve për 0,5 për qind për stabilizimin e Fondit dhe uljen e boshllëkut prej 310 në 275 milionë euro në vit. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska theksoi se reformat në sistemin pensional duhet të mundësojnë pagesë më të drejtë dhe më të qëndrueshme të pensioneve dhe qëndrueshmëri të tij për 50 vite prej sot. Theksoi se me reformën e propozuar nuk do të ketë rritje të kufirit të moshës dhe nuk do të ketë ngrirje të pensioneve.

“Pas 12 viteve bëjmë analizë të mirëfilltë dhe rrënjësore të sistemit pensional, diçka që ishte harruar dhe që vazhdimisht futej nën qilim. Pas një viti dalim me këtë reformë që do ta zbatojmë bashkë me institucionet në sistemin pensional. Kemi korrigjim minimal të kontributit prej 0,5 për qind, masa e dytë është se vendosim kriter të qartë për hyrje në shtyllën e dytë të sistemit pensional, e ky është dita dhe viti i lindjes. Të gjithë ata që janë lindur deri më 1.01. të vitit 1967 do të mund të kthehen dhe të marrin pension vetëm nga shtylla e parë. Me këtë u japim mundësi qytetarëve që të kenë pensione më të volitshme. Gjithashtu, të gjithë ata që përdorin stazhin e beneficuar do të mund të kthehen dhe të përdorin pension vetëm nga shtylla e parë. Momentalisht në situatë të tillë janë të punësuarit në MPB dhe në MB, që i vendosë në pozitë më të volitshme. Por, më të ndjeshmit janë në sistemin me dy shtylla dhe kanë pensione realisht të ulëta. Ne e bëjmë sistemin të drejtë për të gjithë ata që kanë stazh të beneficuar duke përfshirë edhe minatorët që të kthehen në shtyllën e parë dhe të marrin pensione më të volitshme”, tha Carovska.

Shtoi se është duke u rritur edhe përqindja e përllogaritjes së pensioneve në sistemin me dy shtylla. Për burra përqindja rritet prej 0.75 sa është tani në 1 për qind, ndërsa për gra prej 0,86 në 1,14 për qind.

“Nëse sipas sistemit të sotëm pensionohen ata që janë në sistemin me dy shtylla do të marrin më së shumti 30 për qind të pagës. Me sistemin e ri që jemi duke e vendosur do të marrin 40 për qind të pagës maksimale, që do të thotë pensione më të volitshme dhe pagesë të qëndrueshme të pensioneve për pensionistët e ardhshëm. Pensionet do të harmonizohen dy herë në vit, ashtu siç është rregulluar me ligj me rritjen e shpenzimeve për jetesë. Nëse në vitin paraprak ka rritje prej katër për qind të BPV-së kemi harmonizim plotësues në vitin e njëjtë”, tha Carovska.

FMN-ja, nga ana tjetër, para pak kohësh doli me qëndrimin se reformat e propozuara pensionale do të ulin deficitin pensional në afat të mesëm. Por, siç bëjnë të ditur nga atje, me qëllim të qëndrueshmërisë afatgjate të sistemit pensional, duhet të shqyrtohen masa plotësuese si kushte më restriktive për pensionim të parakohshëm dhe rritje të moshës për pensionim.

Rritja e kufirit të moshës ishte propozim edhe i Bankës Botërore, por nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale që para shpalljes së reformave, ishin të prerë se kjo nuk do të jetë njëra prej masave për rimëkëmbjen e sistemit pensional.

Aneta Trajkovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë përkujton se në raportin e saj të fundit pikërisht Banka Botërore paralajmëron se Fondi shtetëror pensional është vënë në rrezik, e se në pikëpyetje është vënë edhe qëndrueshmëria e Fondit edhe në afat të mesëm edhe në afat të gjatë.

“Problemin e lokalizuan në vendet e sapokrijuara të punës të subvencionuara nga Qeveria që praktikisht do të thonë të ardhura më të vogla në arkën e Fondit. Rrezik plotësues që do të ushtroj presion në arkën e Fondit është shpërngulja e njerëzve të rinj të aftë për punë, të cilët janë të rëndësishëm për mbushjen e Fondit. Numri i përgjithshëm e atyre që deri tani janë shpërngulur nga vendi është i madh dhe në pjesën më të madhe bëhet fjalë popullatë të re të aftë për punë, gjë që bën raporti “i punësuar – pensionist” të bëhet gjithnjë e më i vogël, ndërsa vetë kjo e rrezikon qëndrueshmërinë rrjedhëse të Fondit”, shprehet ajo.

Struktura e problemit me Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Maqedonsië, sipas saj, fillon që para tre dekadave, meqë prej vitit 1991-1998 vendi ka rënien më të madhe të punësimit. Deri në vitin 1998, thuajse 35 për qind e popullatës ka qenë e papunë, ndërsa në mënyrë diagonale në kundërshtim me këtë numri i pensionistëve është rritur për 69 për qind.

“Modeli i Bizmerkut mundet dhe është i zbatueshëm të funksionojë ashtu që së paku ose minimum tre të punësuar të mirëmbajnë një pensionist, por në vitin 1991 tre të punësuar kanë mirëmbajtur një pensionist, ndërsa tani raporti është rreth 1,6 të punësuar mirëmbajnë një pensionist”, shprehet Trajkovska.

Njëherësh, prej vitit 2000 e këndej ka rritje më të shpejtë të shpenzimeve për pensione sesa të ardhura burimore të Fondit të SPIM-it, që e rritën deficitin në Fondin. Rritja e deficitit në Fondin e SPIM-it është para së gjithash rezultat i dy faktorëve kyç, vendosja e shtyllës së dytë në vitin 2006 dhe bartja e mjeteve nga shtylla e parë në shtyllën e dytë dhe faktori i dytë shumë më i rëndësishëm, që ka ndikim serioz duke filluar nga viti 2008, është trendi i papërputhur i rritjes së pensioneve, në më shumë raste, që më shpesh është mbi shumën e parashikuar për harmonizim dhe mbi normën e rritjes së ekonomisë vendore.

“Deri në vitin 2008, ekonomia, mesatarisht, është rritur për 3,1 për qind, ndërsa pensionet për 2,9 për qind, derisa pas vitit 2008, ekonomia ka shënuar rritje, në mesatare 2,4 për qind, derisa pensionet thuajse trefish më shumë ose për 6,5 për qind. Në mënyrë plotësuese, rritja më e vogël e të ardhurave në Fondin për SPIM, kryesisht, është shkaktuar edhe nga ulja e normës së kontributeve sociale prej 21,2 për qind në 19 për qind në vitin 2009 dhe në 18 për qind në vitin 2010”, shprehet ajo.

Trajkovska konsideron se reforma duhet të përfshijë ndryshim të rregullimit të metodologjisë për përllogaritjen e obligimeve në bazë të pagesës së kontributeve për sigurim pensional, invalidor dhe shëndetësor në funksion të solidaritetit, por edhe në funksion të komponentit të tregut, ndërsa e gjithë kjo në drejtim të krijimin të rregullimit të raportit mes shumës më të lartë në të cilën paguhen kontribute dhe shtyllës së detyrueshme, e rregulluar sipas parimit (pas-аs-yоu-go) edhe atë ose përmes uljes së shumës maksimale në të cilën paguhen kontribute, ose përmes rritjes së shumës më të lartë të pensionit që mund të paguhet nga Fondi shtetëror.

Më pas ajo potencon edhe se për deficitin në Fondin për SPIM zgjidhja duhet kërkuar edhe në ndërprerjen e rritjes së vazhdueshme të shpenzimeve të pensioneve dhe barazimi i tyre më së shumti me rritjen e ekonomisë, duke respektuar momentin e rritjes së konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë, që do të mundësojë rritje të punësimit, pagave dhe standardit jetësor, e me këtë edhe rritjen e të ardhurave të Fondit.

” Më pas, ajo që është veçanërisht e rëndësishme për sektorin real është që të shfrytëzohen reformat e kombinuara të sistemit pensional, meqë japin rezultate më të mira dhe kryesisht për shkak të faktit se ato e shpërndajnë barrën e reformës pensionale te të gjitha palët e prekura”, konsideron Trajkovska.

Reforma pensionale, shton ajo, duhet të jetë e kombinuar me qëllim që barra të ndahet mes gjeneratave momentale, mes palëve të prekura, derisa nga ana tjetër zbatimi të jetë gradual dhe i shkallëzuar që të mos e cenojë ekonominë edhe ashtu të brishtë.