Refuzohet ankesa e Klan Kosovës për pezullimin e certifikatës së biznesit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësish dhe Tregtisë në Kosovë tha të premten se ka refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit, duke nxitur reagime në shkallë të gjerë dhe shqetësime për lirinë e medias në vend.

Marketing

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet ankesa është refuzuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe tashmë çështja është përmbyllur si rast brenda ministrisë, ndërsa “pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente”.

Me 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësish dhe Tregtisë, ngriti kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.

Komisioni i Ankesave, sipas ministrisë, ka “gjetur përpjekje të vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, të cilat ende nuk kanë shkuar deri në fund”.

Klan Kosova e cilësoi të padrejtë pretendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave lidhur me dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të televizionit.

“Klani i ka si dëshmi të gjitha dokumentet që konfirmojnë se pronari i kompanisë është i regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim në të cilin paralajmërohet dërgimi i çështjes në gjykatë.

Shoqatat e gazetarëve, përfaqësues të mediave por edhe përfaqësues të opozitës u shprehën të alarmuar me njoftimin e ministrisë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se është i tronditur me vendimin e qeverisë (Albin) Kurti për mbylljen e Klan Kosova duke e cilësuar si goditjen më të rëndë që i bëhet lirisë së medies në Kosovë që prej kohës së luftës.

“Me këtë vendim, ministrja Rozeta Hajdari e cila është pjesë e qeverisë Kurti ka finalizuar të gjitha veprimet administrative të nevojshme për të mbyllur televizionin Klan Kosova. Ndonëse vendimi mund të apelohet në gjykatë, ky vendim duhet të kuptohet si vendim i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Kurti për të mbyllur një medium për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë”, thuhet në reagimin e Asociacionit.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe qeveria e kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend.

“Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhet në reagim duke shprehur besimin se gjykata nuk do të lejojë mbylljen e një mediumi në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez në reagimin e tij tha se ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën. “Qeveria më në fund ia doli që të mbyllë kanalin televiziv Klan Kosova. Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në joliberalizmin më konservator, me përbuzjen më të madhe për vlerat e Bashkimit Evropian”, shkroi ai./VOA

Marketing