Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i është drejtuar Lëvizjes BESA me një kërkesë zyrtare për të propozuar anëtarë dhe zëvendësanëtarë në Këshillat zgjedhor, të cilët do ta zbatojnë procesin zgjedhor të 12 prillit në Maqedoni, raporton KOHA.
“Për të zbatuar zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare të 12 prillit, të shpallura nga kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për shkak të zbatimit të tyre në praktik, KSHZ në pajtueshmëri me nenin 38 të Kodit Zgjedhor, kërkon nga Lëvizja BESA që të dorëzojë listën me propozime për anëtarë dhe zëvendës për këshillat zgjedhor”, thuhet mes tjerash në Kërkesën e KSHZ-së drejtuar Lëvizjes BESA, përcjell KOHA.
Ndërkohë, të kujtojmë se të hënën, KSHZ refuzoi si të pa bazë kërkesën e Aleancës për Shqiptarët (ASH), e cila kërkonte që ajo të propozojë anëtarë dhe zëvendës të këshillave zgjedhor për shkak se, siç ishte arsyetuar ASH, “Lëvizja BESA tanimë është pjesë e koalicionit parazgjedhor me LSDM-në”. Mirëpo siç brifojnë nga KSHZ, rregullativat në fuqi ligjore janë të qarta, dhe se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja BESA është partia më e madhe opozitare shqiptare dhe asaj me ligj i takon e drejta e propozimit të anëtareve dhe zëvendësve të këshillave lokal zgjedhor.