Refuzoi kthimin në vendlindje, shqiptari vetëvaret në ambientet e gjykatës franceze

Një shqiptar nga Kosova i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvrarë në bodrumin e gjykatës në Bordo të Francës.

Marketing

Fitim Uka, 41-vjeçari nga Kosova, është vetëvarur me lidhësen e kapuçit të xhupit të tij. Mësohet se ai kishte refuzuar të hipte në një aeroplan për t’u kthyer në Kosovë, shkruan gazeta franceze, Le Monde.

“Preferonte që ta mbyllnin në një qeli të ndotur që kundërmon vdekje, sesa të kthehej në vendin e tij”, u shpreh një avokate.

41-vjeçari do të gjykohej si pjesë e procedurës së paraqitjes së menjëhershme për shmangie nga ekzekutimi i urdhrit për largim nga Franca.

“Më 13 dhjetor, ai refuzoi të hipte në një fluturim për në Amsterdam, pastaj Prishtinë”, tha avokatja e tij, Abraham Hervé Diompy. Klienti i saj nuk kishte dashur t’i nënshtrohej një testi PCR që kushtëzonte hipjen e tij në aeroplan.

Sipas dosjes së Prokurorisë, shqiptari nga Kosova kishte një të kaluar traumatike, që lidhej me vrasjen e 15 anëtarëve të familjes së tij.