Regjistrimi 2021: Tre për qind e popullsisë rezidente në vend kanë shtetësi të dyfishtë

Rreth tre për qind e totalit të popullsisë rezidente në vend kanë shtetësi të dyfishtë. Shumica prej tyre, rreth 37 për qind, përveç asaj maqedonase, kanë edhe shtetësi bullgare, ndërsa gjysma e personave me dyshtetësi janë të rinj të moshës 20 deri në 34 vjeç dhe popullatë aktive nga 35 deri në 49 vjeç, sipas të dhënave nga Regjistrimi 2021, të publikuara sot nga Enti Shtetëror për Statistikat.

Marketing

Nga popullsia e përgjithshme rezidente, 1.778.725 persona janë shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore, 53.201 janë shtetas të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe të një shteti tjetër, 4.203 janë shtetas vetëm të një shteti tjetër dhe 584 persona nuk kanë shtetësi.

Është interesante se burrat kanë më shumë shtetësi të dyfishtë – 30 003, sesa gratë – 23 198. Qytetarët e një vendi tjetër që jetojnë në vendin tonë janë më shumë gra – 2824, sesa burra – 1 379.

Nga gjithsej 53.201 shtetas me shtetësi të dyfishtë, shumica 19.645, përveç asaj maqedonase, kanë shtetësi bullgare, pasuar nga 10.909 me shtetësi serbe, 3819 me kroate, 2393 me shtetësi kosovare dhe 2164 me shtetësi shqiptare.

Sipas përkatësisë etnike, shumica e qytetarëve me dyshtetësi janë maqedonas – 58,8 për qind, shqiptarë 16,04 për qind dhe serbë – 10,7 për qind.