Regjistrimi i popullsisë, Selami: Dita e sotme- vendimtare për zgjatjen afatit

Ecuria e ditës së sotme të regjistrimit do të jetë vendimtare nëse Enti Shtetëror i Statistikave do të kërkojë ditë shtesë për të përfunduar këtë proces.

Marketing

Kështu u shpreh për TVM2 zëvendësdrejtori i Entit të Statistikave, Ilmi Selami, sipas të cilit regjistruesit në mënyrë intensive po kryejnë obligimet e tyre të regjistrimit në teren.

“Duhet të presim mbarimin e kësaj dite të shohim se si do të mbarojë ky proces gjatë ditës së sotme dhe pasi t’i bëjmë matjet dhe kalkulimet të shohim se vallë gjatë ditëve në vijim e mbarojmë procesin ose jo. Nëse konstatojmë se nuk e arrijmë dot procesin, atëherë nëse konstatojmë se procesin mund ta përmbyllim me sukses absolutisht nuk do të ketë nevojë për një gjë të tillë.”,- tha zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Ilmi Selami.

Sipas Selamit, rënia e sistemit disa ditorë që kishte si pasojë ndërprerjen e procesit të regjistrimit ka demotivuar një numër të madh të regjistruesve diku rreth 700, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pjesëmarrje e tyre si regjistrues.

Sipas Selamit është i vogël numri i qytetarëve të cilët kanë mohuar të regjistrohen dhe të njëjtit nuk kanë ndonjë ndikim në vlefshmërinë e regjistrimit. Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës duke e përfshirë edhe ditën e djeshme në vend janë regjistruar gjithsej 1.619.857 persona, 503.491 amvisëri dhe 711.695 banesa.

Mundësinë për vetëregjistrim të personave në vendet e huaja, sërish, deri tani e kanë shfrytëzuar – 198.589 qytetarë nga diaspora. Përveç në shtëpitë e tyre, qytetarët mund të regjistrohen edhe në pikat e caktuara në komunat e tyre, që i hapi Enti Shtetëror për Statistikë.

Sot është dita e 24 e Regjistrimit të vitit 2021 dhe deri në fund mbesin edhe dy ditë aktivitet regjistrues.