Regjistrimi në Serbi, Kurti ka një kërkesë për ndërkombëtarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit.

Marketing

Që në ditën e parë, si kryeministër i Kosovës, Kurti thotë se ka bërë thirrje që “regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”.

“Në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Ata përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut. Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë”, tha Kurti, duke shtuar se u është mirënjohës tërë spektrit politik shqiptarë anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptarë për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptarë.

Po ashtu, kryeministri falënderoi punëdhënësit në Kosovë që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim.

Tutje, ai kërkoi monitorimin e përpunimit të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në Serbi nga bashkësia ndërkombëtare.

“Të nderuar bashkëkombas, jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare”, tha Kurti.

“Të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, pranoni përshëndetjet e përzemërta të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mirënjohjen time të thellë, për të gjithë shqiptarët atje, që me vendosmëri dëshmuat se jeni aty, e se jeni shumë më shumë se që ju paraqesin”, shtoi ai.