Janë regjistruar 11 raste me fruth. Pesë prej tyre janë kontrolluar dhe janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa gjashtë prej tyre janë mbajtur në Klinikën për sëmundje infektive.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se në ambulanta janë kontrolluar pesë pacientë, por ata janë lëshuar në shërim shtëpiak. Tani në Klinikën infektive janë hospitalizuar 26 pacientë me fruth ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë, thonë se të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme.
“Që nga shpallja e epidemisë më 2 janar në pikat e vaksinimit në Shkup janë vaksinuar gjithsej 5.387 fëmijë,” thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik vetëm javën e kaluar janë regjistruar 52 raste të infektuar me fruth në Shkup, si dhe dy raste në Bogdanci. Ministria e Shëndetësisë thotë se mbeten në fuqi masat kundër epidemisë, pra ndalimi për ti pranuar fëmijët e pavaksinuar në kopshte, të kufizohen vizitat në objektet shëndetësore, si dhe rekomandimet për të gjithë që nuk janë vaksinuar këtë ta bëjnë sa më shpejtë.