Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu sot ka shprehur qëndrimin e tij, në lidhje me formimin e Bashkësisë Fetare Selefiste në Maqedoninë e Veriut.
Tha, se ai aspak nuk është habitur me themelimin e saj, pasi paraqitje të tilla ka pasur, sipas tij që nga viti 1991.
Por, shtoi, se BFI mbetet organizatë e madhe dhe e fuqishme.
“Ne si Bashkësi Fetare Islame nuk jemi të habitur me rastet të këtilla, sepse këto paraqitje kanë qenë prej vitit 1991 me fillimin e proceseve demokratike. Ne nuk shqetësohemi shumë, sepse në demokraci janë normale. Por, vlerësimet tona i kemi dhënë te faktori qeveritar, pastaj te faktori ndërkombëtar, se regjistrimet e këtilla janë tentim për përçarje brenda Bashkësisë Fetare Islame dhe se s’mund të arrihet ajo. Kemi bërë procedura ligjore dhe tani presim rezultate pozitive. Por, Bashkësia Islame vazhdon të jetë një organizatë e madhe, e fuqishme me të gjitha elementet dhe se ne, qëllimi ynë kryesor është që shoqërinë tonë, e në veçanti në Bashkësinë Fetare Islame, popullin mysliman mos të lejojmë të zhytet apo t’i hidhet ndonjë pikë e zezë nga rryma të dyshimta”, tha Fetahu.
Ka vlerësuar se BFI-ja vazhdon të jetë kategori kushtetuese në vend, ndërkaq ka ftuar institucionet që të përmirësojnë gabimet e bëra.
Përndryshe, Bashkësia Fetare Selefiste “Dar el hadis” është themeluar në dhjetor të vitit të kaluar, duke u regjistruar në Gjykatën Themelore Shkupi 2.
Kryetari i kësaj Bashkësie, Xhemal Jakupi ka deklaruar, se “nuk duan të dëmtojnë ndokënd, por as nuk duan që dikush t’i kontestojë”, pasi siç tha, edhe ata “kanë bindje që bazohen në Kuran”.