“Reket”, veçori “të karakterit”, reagime

“Gjithsesi që nuk do të lejoj disa kriminelë, një gazetar kapriçoz dhe të më falë komuniteti LGBT një ‘pederast’ ta rrëzojë këtë Qeveri nga pushteti. Jo. Do të luftojmë deri në fund sepse gjithkush që është involvuar natyrisht do të mbajë përgjegjësi”.

Marketing

Kjo deklaratë e kryeministrit Zoran Zaev të cilën e ka dhënë mbrëmë në Klubin e deputetëve në komentin e pritjeve dhe pasojave nga zgjidhja e rastit “Reket” shkaktoi një sërë reagimesh të partive politike, trupit rregullator mediatik, shoqatave të gazetarëve dhe organizatave joqeveritare, ndërsa u pasua edhe me komente në rrjetet sociale.

Pas reagimeve të para, Zaev përmes Tuiterit i kërkoi falje komunitetit LGBTI dhe sqaroi se në deklaratën që e dha mbrëmë fjala “pederast” është përdorur që të japë një veçori të karakterit, e jo të tregojë përkatësi seksuale.

“Komuniteti LGBTI e ka respektin tim më të madh. Prandaj, para se të përdor fjalën “pederast” kërkova falje. Këtë fjalë e përdora që të jap një veçori të karakterit, e jo të tregoj përkatësinë seksuale. I kërkoj falje njerëzve të LGBTI-së. Do të luftoj për të drejtat e tyre, si edhe deri tani”, shkroi Zaev në “Tuiter”.

Partia opozitare VMRO-DPMNE në njoftim kërkoi përgjegjësi dhe citoi se i dënon ashpër fyerjet edhe kërcënimet e Zaevit drejt gazetarëve të cilët e bënë publik krimin e tij, si dhe ofendimet ndaj përkatësisë seksuale. Sipas VMRO-DPMNE-së, kryeministri është frikësuar nga shkrimet mediatike se Bojan Jovanovski në “Reket” ka argumente kundër tij dhe se do t’i bëjë ato publike.

Partia qeveritare LSDM-ja në reagimin e VMRO-DPMNE-së, vlerësoi se kjo parti ka shumë pak të drejtë që të flasë për fyerje dhe kërcënime. Ka theksuar se VMRO-DPMNE-ja 11 vite ka heshtur dhe ka promovuar drejtpërdrejtë dhunën kundrejt komunitetit LGTBI dhe përfaqësuesve të saj dhe se me një sjellje të tillë ka vazhduar edhe në opozitë. VRO-DPMNE janë hipokritë dhe nuk kanë të drejtë që të flasin për diskiriminim, citon LSDM-ja.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ka kërkuar nga kryeministri që të distancohet nga diskreditimi, etiketimi dhe diskriminimi.

Duke e dënuar deklaratën ASHMAA thekson se ajo është problematike të paktën në tre kritere. “Kryeministri, si ushtrues i detyrës publike, në vend që të pranojë dhe respektojë rolin e gazetarëve si kritikë të punës së qeverisë, po përpiqet të diskreditojë gazetarin. Në vend që të tregojë nivelin më të lartë të respektit ndaj diversitetit, ai përdor etiketimet që janë nënçmuese për njerëzit e komunitetit LGBT. Zaev gjithashtu nuk e respekton prezumimin e pafajësisë në deklaratën e tij”, thonë nga ASHMAA.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë gjithashtu e dënon deklaratën e djeshme të kryeministrit Zoran Zaev dhe kërkoi që ai t’i kërkojë falje gazetarëve. “Fjalimi i tillë që përmban agresion ndaj gazetarëve nga ana e Kryetarit të Qeverisë mund të nxisë dhunë ndaj kolegëve tanë, ndërsa me këtë mund të përkeqësojë sigurinë e tyre dhe të kufizojë lirinë e shprehjes, vlerëson SHGM duke nënvizuar njëkohësisht edhe se “përdorimi i një fjalimi të papërshtatshëm kundër anëtarëve të komunitetit LGBTI nuk i takon një politikanit serioz dhe bartësi të një posti kaq të lartë”.

Kjo është dënuar edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AGM) të cilët thonë se një deklaratë e tillë paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj mediave dhe gazetarëve dhe formës së lirisë së shprehjes.

Marketing