“Reketi”, aktakuza do të përgatitet për tre muaj

Herët në mëngjes, Katica Janeva, e shoqëruar nga policia e burgut të Shutkës, shkoi në varrosjen e nënës së saj 83-vjeçare në Gjevgjeli. Pas mbërritjes, policët e kanë dërguar nga morgun e varrezave ku Janeva qëndroi për rreth gjysmë ore pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Nuk mori pjesë as në ceremoninë mortore, por menjëherë u kthye në vuajtjen 30 ditor të paraburgimit. Ndërkohë, në Shkup, prokurorja Fatime Fetai komentoi sot mbi zhvillimet e fundit dhe arrestimin e Janevës.

Marketing

Ajo që po ndodh mund të jetë vetëm një tregues i mirë se të gjithë që kanë shkelur ligjin duhet të mbajnë përgjegjësi dhe se gjërat më në fund po lëvizin në një drejtim pozitiv në shtet dhe se askush nuk është i paprekshëm – deklaroi Fatime Fetai, Prokurore e PSP-së.

Janeva nga mbrëmë ndodhet në njësinë e paraburgimit në Shutkë, por jo në repartin e rinovuar të ashtuquajtur dhomat e Hagës, por në qeli të zakonshme me një të burgosur tjetër. Arsyeja për këtë është që të shmanget kontakti me Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevski – Kiçeec. Drejtori i Burgut Hetimor Esad Rahic për Alsat deklaroi se për prokuroren speciale është bërë vlerësim i sigurisë sipas profilit dhe është vendosur në një vend ku nuk do të jetë afër të dyshuarve të tjerë në rastin Reket dhe të pandehurve të tjerë në rastet që lidhen me punën e saj.

Avokati i saj Stevan Pavleski, tha se po i mbledh dokumentet e nevojshme dhe sonte do të dorëzojë ankesë në Këshillin Penal për masën e paraburgimit, duke përmendur më pas se për shkak të funeralit të sotëm dhe largimit të Janevës në vendlindjen e saj, situata është më e ndërlikuar.

Masa e paraburgimit mbrëmë vonë u vendos nga gjykatësi i procedurës paraprake Sead Rexhepagiç për të tre arsyet: Rrezik nga përsëritjen e veprës, ndikim të mundshëm tek dëshmitarët dhe rrezik të arratisjes.

Prokurorja Vilma Ruskovska tha se nuk e di saktë sa para nga rasti reket ka mundur të kishin përfunduar tek Janeva dhe se hetimi financiar është në rrjedhë. Sidoqoftë, për të ka qenë një nga ballafaqimet më të rënda sepse bëhet fjalë për kolegen e saj.

Hetimi mund të zgjasë edhe 6 muaj, mund të kërkojmë edhe zgjatje të hetimit, por nëse duam të vazhdojë paraburgimi mendoj se edhe më tej duhet të bëhet një aktakuzë brenda 3 muajve – tha Vilma Ruskovska, Prokurore.

Pas arrestimit të djeshëm në shtëpinë e saj në periferinë e Shkupit, në Kozle, Katica Janeva hyri në treshen e të dyshuarve “Reket” – përkrah Boki 13 dhe Kiçeec. Provat nga Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin tregojnë se Janeva ka pasur përfitim personal prej 5,000 eurosh duke marrë mobilje të reja, ndërsa si kundër shërbim nga ana e saj ka ndikuar në procedurat në rastin Perandoria, duke lehtësuar pozicionin e të dyshuarit Orce Kamçev. Policia dje i sekuestroi mobiljet. Por, sipas Prokurorisë, ajo për të dyshuarit e tjerë ka marrë një përfitim pronësor prej 1.500.000 euro.