Sasho Mijalkov pretendon se ai nuk i ka dhënë para Bokit 13 për të dalë nga paraburgimi në Shutkë, ku ai përfundoi si i dyshuar për pastrim parash në rastin e PSP-së “Perandoria”. Emri i tij është dëgjuar edhe në përgjimet e fundit të lidhura me Reketin, si dhe në regjistrimet audio të publikuara nga gazeta italiane e krahut të djathtë La Verita.
Në 16 materialet audio që u publikuan në Youtube dëgjohet një zë që ngjason me dëshmitarin në “Reket”, Kamçev ndërsa përmendet edhe emri i Mijallkovit, i cili është ortak i tij shumëvjeçar biznesi. Vitin e kaluar, Kamçev nga Shutka doli më 27 dhjetor ndërsa përmes rastit “Reket” u zbulua që për këtë ka paguar 1,5 milionë euro tek Boki 13, Zoran Kiçeec dhe Katica Janeva. Mijallkovi nga paraburgimi doli dy ditë më vonë. Sot, Alsat e pyeti:
“G: Para se të hyni, ju përmendën disa herë në “Reket”. A keni dhënë para për rastin “Perandoria”? M: Nuk kam dhënë. S’kam kurrfarë lidhje me këtë”.
Përveç bisedave të reja të përgjuara dhe ato mes Kamçevit dhe Bokit 13, Sasho Mijallkovin e përmendën edhe dëshmitarët në sallën e gjyqit. Gruaja e Orces, Ana, tregoi se Boki 13 e dinte saktësisht se në cilën ditë do të arrestohet ish-shefi i DSK-së i dyshuar për pastrim parash. Detaje për rastin “Reket” publiku përveç në sallën e gjyqit, pati mundësinë të dëgjojë edhe në Youtube. 16 biseda të reja, të publikuara në mënyrë anonime, tregojnë se çfarë eventualisht ka biseduar Orce Kamçev në periudhën para dhe pas publikimit të aferës Reket. Prokuroria tashmë ka theksuar se po heton kush dhe ku janë postuar bisedat në internet. Në rastin “Reket” të akuzuar janë Katica Janeva dhe Bojan Jovanovski, ndërsa Zoran Milevski ka pranuar fajësinë dhe tashmë është dënuar me tre vjet burg.