Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti mori pjesë në takimin e pestë të Rektorëve të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (FOTO)

Në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut u mbajt takimi V i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike anëtar i të cilit është edhe Universiteti i Tetovës.

Marketing

Në kuadër të këtij takimi, presidenca e Asociacionit më 16 prill realizoi një punëtori të përbashkët kushtuar sigurimit të cilësisë në arsimin sipëror, ndërsa më 17 prill u zhvilluan punimet e Konferencës V Shkencore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (Ballkan Asociation University – BUA), me temë: “Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm në Regjionin e Ballkanit”.

Kjo konferencë i zhvilloi punimet në dy sesione të ndara, ndërsa me punimet e tyre morën pjesë rektorë dhe studiues nga të gjitha universitetet anëtare të BUA-së, në mesin e të cilëve edhe profesorë nga Universiteti i Tetovës. Njëri nga sesionet e konferencës u udhëhoq nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili njëherit në cilësinë e panelistit e prezantoi punimin e tij shkencor, me temë: “Kontributi i punëdhënësve – nevojë për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë”. Konferencën me prezencën e tij e nderoi edhe ish – presidenti i Asociacionit të Universiteteve Evropiane, Prof. Dr. Rolf Tarrach.

Më 18 prill, në ambientet e Universitetit “Aristoteli” të Selanikut u zhvillua takimi i pestë i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, me pjesëmarrje të të gjithë rektorëve të universiteteve ballkanike. Fillimisht presidenca bëri shqyrtimin dhe miratimin e aplikimeve të universiteteve të reja për t’u bërë anëtarë të ri të BUA-së.

Më pas, Rektori i Universitetit “Aristoteli” të Selanikut, Prof. Dr. Periclas A. Mitkas, ia dorëzoi presidencën e BUA-së, Rektorit të Universitetit të Bukureshtit, Prof. Dr. Mirçea Dumitru, i cili do të udhëheqë me të gjatë një viti, deri në takimin e gjashtë të BUA-së, i cili do të mbahet në universitetin që ai e drejton. Në këtë takim, po ashtu u vendos që pas Universitetit të Bukureshtit me presidencën të udhëheq Rektori i Universitetit të Tuzllës, Prof. Dr. Nermina Hadžigrahić.

Deri më tani, me Presidencën e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike kanë udhëhequr me nga një mandat, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i Universitetit të Sofjes, Prof. Dr. Ivan Illchev dhe Rektori i Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoglu.