Rektori i UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti në Konferencën e rektorëve të universiteteve publike shqiptare

Më 6 dhe 7 mars 2020, në Universitetin “Fan. S. Noli” të Korçës u mbajt Konferenca e dytë e rektorëve të universiteteve publike shqiptare. Në këtë tubim morën pjesë universitetet më të njohur në hapësirën gjithëkombëtare. Në emër të universiteteve publike nga Republika e Maqedonisë së Veriut mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili theksoi se ndjehet i nderuar që merr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për arsimin e lartë, ku të gjithë së bashku i prezantojnë rezultatet e punës arsimore – shkencore.

Marketing

“Në cilësinë e drejtuesit të një Universiteti, që historia e njeh si i kalitur për t’u bërë ballë sfidave dhe t’i tejkalojë ato, edhe përkundër vështirësive që na dalin gjatë rrugës, ne nuk kemi reshtur angazhimin, përpjekjet tona për ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të përbashkëta arsimore dhe kombëtare, për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe avancimin e lirive akademike në universitetet që sot i përfaqësojmë. Ky takim mes rektorësh zhvillohet në kohën kur vendet tona e presin me padurim lajmin e shumëpritur nga Bashkimi Evropian për marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.

Në gjithë këtë rrugëtim për t’u bërë pjesë e një unioni që personifikon standarde, civilizim dhe qytetërim, sigurisht që meritën kryesore e kanë universitetet, jo vetëm në përgatitjen e kuadrove të arsimuara, realizimin e projekteve dhe programe arsimore, por edhe duke aplikuar sisteme të avancuara në institucionet tona, sot ndajmë vlera të përbashkëta me dhjetëra universitete – shtetet e të cilëve janë prej kohësh pjesë e Bashkimit Evropian. Duke iu referuar edhe temës bosht të kësaj konference: “Universitetet publike shqiptare përballë sfidave të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë”, vlerësoj se Universitetet shqiptare sot janë më të hapura, më të lira, paraqesin bazën e qarkullimit të ideve përparimtare dhe të frekuentimit të njerëzve.

Ne aspirojmë të bëhemi pjesë e Evropës, sepse Evropa na ka joshur me platformën e saj, ku respektohen të drejtat e gjithsecilit, ku secili ka rol duke qenë vetëm në rolin e tij, prandaj them, le t’i bëjmë secili detyrat tona, ne ta zhvillojmë lëmin e arsimit dhe shkencës, por qeveritë t’i kryejnë obligimet e tyre duke e mbështetur konkretisht Universitetin.

Në kushtet tona, mendoj se kjo është e vetmja alternativë që bashkërisht ta hedhim hapin drejt hapësirës evropiane dhe të synojmë përmbushjen e objektivave, që për kryefjalë kanë zhvillimin dhe përparimin universitar, unifikimin e sistemit të lartë arsimor sipas normave evropiane, unifikimin e programeve, ekuivalentimin e diplomave universitare, shkëmbimin e përvojave, kuadrit arsimor e studentëve, si dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët” , u shpreh Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në ditën e dytë, u nënshkrua “Përkujtesa e Konferencës së Dytë të rektorëve të universiteteve publike shqiptare”, ku parashihet që punimet e konferencës së tretë të rektorëve të universiteteve publike shqiptare, të zhvillohen në Universitetin e Tetovës.

Me këtë rast, Rektori i UT-së, deklaroi: “Me kënaqësi e pranuam detyrën sepse është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse nga kjo konferencë dhe nga konferenca e radhës që do të mbahet vitin e ardhshëm do të dalin konkluzione që do ta shpijnë përpara arsimin në gjuhën shqipe. Besoj se gjatë organizimit të asaj konference të arrijmë të formojmë një trup të një unioni të universiteteve shqipfolëse, formimit të sekretariatit të universiteteve, i cili do të përpilojë edhe Statutin e Konferencës së Rektorëve si dhe rregulloren e punës së konferencës.

Është mirë që sekretariatet të jenë në tri qendra të qyteteve shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Pastaj do të përpiqemi që të kemi edhe një ueb faqe të këtij asociacioni ku do të shfaqen të gjitha të arriturat dhe puna e bërë e këtij asociacioni, bashkëpunimi ndërmjet universiteteve në projekte të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, si dhe krijimin e një databaze të plagjiatëve, databazë të punimeve dhe të revistave shkencore”, theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në përmbyllje të punimeve të konferencës së lartpërmendur, Rektori i UT-së, nikoqirit të takimit të lartpërmendur, Rektorit të Universitetit, “F. S. Noli”, Prof. Dr. Ali Jasharit i dhuroi portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT, Prof. Dr. Fadil Sulejemani dhe botimet më të reja të universitetit.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Korçë, rektori ynë u prit edhe nga kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, ku zhvilloi një bisedë të ngrohtë miqësore me theks të veçantë diskutuan për zhvillimet në arsimin e lartë në të gjitha trevat shqiptare. Ata, u pajtuan që vetëm përmes bashkëpunimit, organizimit të takimeve të kësaj natyre mund të avancojnë proceset e përgjithshme arsimore – shkencore. Kryetarit të Bashkisë së Korçës, Rektori ynë i dhuroi mozaikun e Shtëpisë së Alfabetit në Manastir dhe disa botime shkencore të Universitetit tonë.

Zyra për Informim e UT-së