Republikanët sigurojnë shumicën në Senat për herë të parë pas katër viteve

Republikanët fituan kontrollin e Senatit, një fitore e rëndësishme që do t’i jepte Presidentit të zgjedhur Donald Trump një mjet kryesor për të zbatuar axhendën e tij legjislative. Korrespondentja e Zërit të Amerikës njofton më shumë për këtë ndryshim të rëndësishëm në balancën e pushtetit në Uashington.

Marketing

Për herë të parë në katër vite, republikanët kanë fituar shumicën në Senatin amerikan.

“Kjo është padyshim një ditë e gëzuar për Partinë Republikane!”, tha drejtuesi republikan në Senat, Mitch McConnell.

Republikanët siguruan fitoret e pritshme në shtetin me peshë kryesore për përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve, Pensilvaninë…

“Duket se jemi në një drejtim shumë të mirë”, tha David McCormick, senator i zgjedhur republikan.

Dhe në Teksas, demokrati Colin Allred nuk fitoi dot përballë Senatorit republikan Ted Cruz.

“Do të luftoj për ju, për vendet tuaja të punës, për sigurinë tuaj dhe për të drejtat tuaja kushtetuese”, tha Senatori Ted Cruz.

Në këto zgjedhje u votua edhe për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, me republikanët që pritet të ruajnë shumicën në këtë dhomë të Kongresit.

Në garat për Senatin, demokratët siguruan fitore në Kaliforni…

“Zotohem të bëhem pjesë e betejave të mëdha për të mbrojtur liritë tona dhe për të mbrojtur demokracinë tonë”, tha senatori i zgjedhur demokrat Adam Schiff.

Kontrolli i Senatit u vendos nga disa gara kyçe, ku rezultati nuk ishte i sigurt. Përballje të tilla pati në Ohio dhe në Montana, ku republikani Tim Sheehy mundi senatorin demokrat në detyrë Jon Tester.

Me kontrollin e Senatit, Presidenti i ardhshëm Donald Trump do të jetë në gjendje të konfirmojë të emëruarit e tij për Gjykatën e Lartë, nëse do të hapet një vend bosh, si dhe ka një rrugë më të qetë për të kaluar axhendën e tij legjislative.

“Me një shumicë në favor të Donald Trump-it, ai jo vetëm mund të konfirmojë sekretarët e kabinetit të tij pa pasur nevojë të marrë mbështetjen e demokratëve, por edhe zëvendësat e tyre. Ka mijëra emërime për t’u bërë brenda degës ekzekutive dhe veçanërisht në gjykata”, thotë studiuesi Casey Burgat, nga Universiteti George Washington.

Për herë të fundit Republikanët kishin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit, gjatë dy viteve të para të mandatit të parë të zotit Trump në vitin 2017./VOA