Revoltë në Koliçan të Poshtëm – S’e lëshojnë tokën për fotovoltaikë, komuna thotë se kompania ka leje (VIDEO)

Banorët e Koliçanit të Poshtëm u mblodhën në hyrje të fshatit për të shprehur revoltën kundër vendimit që këtu të vendosen fotovoltaikë.

Marketing

Terreni po bëhet gati. Tokën, siç na thanë, komuna ia ka shitur një kompanie, por sipas banorëve ky vend më herët ka qenë në pronësi të fshatit.

Banori Alia Sali për TV21 tha se me vite këtë vend e kanë përdorur për piknik, për të marrë ajër të pastër si dhe fëmijët për t’u argëtuar.

“Dëgjuam se kishte ardhur dikush me buldozer të ndërtojë këtu, ky vend është në pronësi të Koliçanit të poshtëm. Zotëri kryetari e ka ndryshuar në vend ndërtimi sepse ka dashur që ta shes dhe e ka shitur 85 mijë metër katror që fillon prej në atë pjesë deri atje i është shitur investitorit për instalimin e fotovoltaikëve”, tha Alia Sali, banorë i Koliçanit .

“Unë nuk dua të përsëritëm vetëm do t’u tregoj që vendi është shitur për 71 denarë metër katror, gjithsej 85313 metër katror. Komuna nuk ka asnjë shërbim, ne kemi qenë edhe në komunë i kemi dorëzuar në komunë, na ka kthyer ja pra të gjithë janë dëshmitarë kolegët”, tha një tjetër banorë.

Po edhe përskaj mospajtimeve të banorëve, kryetari i komunës së Studeniçanit Azem Sadiku thotë se e gjithë procedura e shitjes së tokës dhe leja e ndërtimit është bërë në mënyrë ligjore.

“Për mua si kryetar i komunës është shumë me rëndësi që banorëve nuk ju sjellë asnjë dëm në aspektin shëndetësor e as nuk do të ketë ndotje të ambientit për rreth, kurse komuna dhe shteti ka interes permanent nga ky investim i madh që po bëhet. I lus qytetarët që t’i lënë inatet dhe të ndihmojnë që ky projekte të fillon sa më parë të realizohet sepse nga investime të tilla të gjithë do të kemi hajër”, deklaroi Azem Sadiku, kryetar i Komunës së Studeniçanit .

Përndryshe investitori i cili e ka blerë tokën dhe po punon për instalimin e fotovoltaikëve është kompania PSB ENERGJI. https://youtu.be/cDVqisNqIsw