Rey Manaj transferohet nga Barcelona te Watford

Rey Manaj largohet nga Barcelona, për të nisur një aventurë të re në futbollin anglez. Sulmuesi shqiptar transferohet te Watford, skuadër që gjatë sezonit të kaluar u pozicionua në vendin e 19-të në Premier League dhe në edicionin e ri do të luajë në Championship, nivelin e dytë të futbollit në ishull.

Marketing

Pas huazimit te Spezia, ku ishte një prej lojtarëve vendimtarë në mbijetesën në Serie A, Manaj u kthye në Camp Nou, por vetëm për tëpritur të reja rreth së ardhmes. Me Barcelonën që është dëshpërimisht në kërkim të financave, shitja ishte e paevitueshme.

Nga kjo situatë përfitoi Watford, që kërkon përforcime për të synuar rikthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit anglez. Ekipi i qytetit pranë Londrës siguroi shërbimet e 25-vjeçarit, për një shifër që ende nuk është bërë e ditur.

Deri më tani është zbuluar vetëm se Manaj do të jetë pjesë e “Djemve të Artë” për tre vitet në vijim, ndërsa Barcelona ruan të drejtën e 20 për qind të të ardhurave, në rast se lojtari shitet në një skuadër tjetër. Për karakteristikat që ka, kuqeziu pritet të jetë lideri i sulmit te Watford.

Marrëveshja u realizua në një moment kur dukej se transferimi dështoi, por ajo ishte vetëm një manovër e klubit për të siguruar firmën larg zhurmës mediatike. I rritur te Akademia e Interit, Manaj numëron edhe 31 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, ku ka shënuar 7 gola.