Riemërohen dy shkolla në komunën e Dibrës

Këshilli i komunës së Dibrës në seancën e sotme të rregullt miratoi vendime për dhënien e pëlqimit për riemërimin e dy shkollave në qytet.

Marketing

Vendimet kanë të bëjnë për shkollën fillore komunale “Bratstvo edinstvo” e cila riemërohet në “Penestia”, sipas historianëve shqiptarë emri i vjetër i Dibrës, dhe shkollën e mesme komunale “Zdravko Çoçkovski” në “28 Nëntori”, dita e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe ditë e flamurit kombëtar shqiptar.

Pëlqimi për riemërimin dhe ndryshimin e statuteve të shkollave kaloi edhe me ruajtjen e numrit të nevojshëm të votave sipas Badenterit.

Vendimi për ndryshimin e emrave të dy shkollave, gjithashtu me Badenter, u votua edhe në vitin 2012 nga këshilli i atëhershëm komunal.

Në seancë këshilltarët kërkuan nga kryetari i këshillit, Bashkim Mashkulli, që të ndërmarrë veprime tek kryetari i komunës dhe sektori për financa në komunë të paguhen kompensimet e këshilltarëve që kanë ngelur, si edhe mëditjet e nevojshme për personat e angazhuar në këshillat zgjedhorë të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar.

Pesëmbëdhjetë këshilltarëve të këshillit aktual, duke e përfshirë edhe seancën e sotme sipas Mashkullit nuk u janë paguar katër, ndërsa atyre të përbërjes paraprake tre kompensime për këshilltarë.