Riformatimi i Qeverisë, Nikollovski: Ndryshimet deri në fund të javës

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Ljupço Nikollovski, thotë se deri në fund të kësaj jave do të ketë hap serioz për konceptin e punës së qeverisë dhe propozimeve që kryeministri duhet t’i parashtrojë në kuvend, pas koordinimit me subjektet tjera politika – partner të koalicionit qeverisës.

Marketing

Nikollovski ka parashtruar tashmë dorëheqje nga posti i ministrit të bujqësisë dhe pret vendimin e kryeministrit sa i përket emërimit të ministrit të ri, sipas tij, që do të ndodh në seancën e radhës në parlament.

“Presim që deri në fund të javës të kemi hap serioz në këtë pjesë, flas për konceptin e qeverisë, për punën e qeverisë. Gjithashtu në qoftë se ka ndryshime, kryetari i qeverisë duhet t’i parashtrojë në parlament, pres që ditëve në vijim të ketë përgjigje, por gjithsesi kjo pyetje duhet t’i bëhet vet kryeministrit. Paralelisht mund të them se ristrukturime të kuadrove, respektivisht rritja e kapaciteteve, vazhdon në të gjitha nivelet”,- tha sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Ljupço Nikollovski.

Nikollovski thotë se rekonstruimi i kuadrove apo rifreskimi i potencialit ndodh në të gjitha nivelet, jo vetëm në qeveri, por dhe brenda partisë dhe çdo institucioni, por se cilat janë emrat konkretë që do të ndërrohen, thotë se duhet pritur përgjigja e kryeministrit ditëve në vijim.

Nga partitë e tjera të koalicionit qeverisës nuk ka asnjë të dhënë nëse do të ketë ndryshime në postet që ata mbajnë në qeveri.