Kalimet kufitare midis Jordanisë dhe Sirisë do të rihapen të hënën, njoftoi televizioni shtetëror sirian. Ato ishin mbyllur për disa vite, raporton Reuters. Zëdhënësja e qeverisë jordaneze, Jumana Ghunaimat, konfirmoi hapjen e kalimit kufitar.
“Ishte një arterie kryesore e tregtisë midis Jordanisë dhe Sirisë dhe tranzitit në vende të tjera”, tha ajo.
Arritja e marrëveshjes vjen pasi ekipet teknike të të dy vendeve u takuan në anën jordaneze. “Edhe pse kalimi kufitar do të hapet zyrtarisht të hënën, nuk do të hapet menjëherë për trafik normal”, tha Nael Husami, kreu i dhomës industriale të Ammanit.
Hapja e kalimit vjen pasi forcat e qeverisë siriane morën anën e tyre të kalimit kufitar në korrik, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur me luftëtarët rebelë.