Komisioni për Punë të Jashtme i Senatit amerikan ka potencuar nevojën për reforma dhe sundimin e së drejtës, me qëllim që Maqedonia e Veriut të inkuadrohet në NATO dhe BE, njofton Zëri I Amerikës.
Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan ka potencuar se SHBA-të do të vazhdojnë të bisedojnë me Qeverinë për nevojën e ekzistimit të Prokurorisë Speciale. Riker është i bindur se Qeveria në Shkup do ta zgjidh statusin e PSP-së.
“Do të vazhdojmë të bisedojmë për këtë me Qeverinë, për shkak se duam ta shohim këtë institucion që është thelbësore për të shkuar përpara.” deklaroi Riker.
Në këtë mbledhje është theksuar se ratifikimi i shpejtë i Protokollit për NATO do të tregojë se SHBA-të, jo vetëm që qëndrojnë pas diçkaje që e përkrahin, por edhe se Aleanca është e rëndësishme dhe e fuqishme.
Riker thotë tani radhën e ka BE-ja që ta shpërblejë Shkupin për plotësimin e reformave të domosdoshme.
“Burokracia dhe rruga që të vërtetohet datë konkrete për negociata para aderuese është diçka që varet nga vendet anëtare të BE-së. Sa u takon SHBA-ve, ne potencojmë rëndësinë për procesin e NATO-s dhe presim që përpjekjet e vendit t’i shohim të shpërblyera. Besojmë se edhe BE-ja i ka po këto qëllime.”-shprehet Riker.
Zëri i Amerikës transmeton angazhimin e seatorëve amerikanë se është shumë me rëndësi reagimi i shpejtë amerikan që partnerët socialo-demokrat evropian, ta kuptojnë rëndësinë e eurointegrimeve, jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjithë rajonin.