Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, tha se vazhdimi i dialogut është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje përfundimtare, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë, ai theksoi se palët nuk duhet të presin nga të tjerët që të vendosin për ta.
I pyetur nga Zëri i Amerikës mbi zhvillimet në Shqipëri, ambasadori Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë krenare me zhvillimet e fundit atje. Diplomati i lartë amerikan i bëri komentet dje në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Burim Goxhuli.
Zoti Reeker, tha se vazhdimi i bisedimeve është rruga e vetme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve:
“Serbia dhe Kosova duhet të kthehen në tryezën e negociatave. Kam kaluar shumë kohë në atë tryezë me ta. Mendoj se vullneti i mirë ekziston tek të dyja palët, për të ardhur deri tek zgjidhja dhe të arrihet më shumë qëndrueshmëri dhe ardhmëri për tërë Ballkanin Perëndimor”.
Duke folur për mundësinë e angazhimit më të madh të Shteteve të Bashkuara, Ambasadori Reeker tha se Prishtina dhe Beogradi nuk duhet të presin që të tjerët të kryejnë detyrat në emër të tyre:
“Shtetet e Bashkuar janë të gatshme të angazhohen. Në fakt unë po bisedoja me sekretarin Pompeo rreth kësaj, në mëngjes. Dëshirojmë të shohim lëvizje atje, por puna është se ne nuk mund ta bëjmë atë për ju. Kosova dhe Serbia duhet të vendosin së bashku të kthehen në tryezën e dialogut”, shtoi ai.
Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të marrim mësim nga marrëveshja e arritur nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia:
“Ishim dëshmitarë të asaj që ndodhi në Maqedoninë e Veriut, me udhëheqës të guximshëm që punuan me udhëheqës të guximshëm në Greqi për arritjen e marrëveshjes së Prespës. Kjo duhet të jetë shembull se si çështje të vështira, që e kanë shqetësuar rajonin për shekuj të tërë mund të zgjidhen duke u ulur së bashku, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe miqve e aleatëve.”
Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.