Rikthehen punimet në Kalanë e Shkupit – Do të ndërtohet muze, jo kishë

Dyert e Kalasë së Shkupit janë të hapura për vizitorët por nga ajo që shohin brenda kalasë shpesh dalin të dëshpëruar, shkruan Alsat.

Marketing

Kështu ishte rasti edhe me dy vizitorë të Britanisë së Madhe. Loren dhe Tom, të cilët kishin ardhur për vizitë në Shkup dhe përveç Çarshisë së Shkupit ishin drejtuar të shihnin edhe Kalanë.

“Është strukturë e bukur, ka pamje shumë të mirë, por ndoshta duhet të bëhet pak investim për të ndihmuar në rregullimin dhe mirëmbajtjen”, tha një vizitor nga Britania e Madhe.

“Kështjella është e bukur dhe e madhe. Na vjen mirë që e shohim por do të ishte më mirë që të kishim ca informata më shumë për këtë, sikurse në muze, sepse ende nuk dimë përse është këtu, dhe do të duhet të kërkojmë në Google kur të shkojmë në shtëpi”, u shpreh një vizitor nga Britania e Madhe.

“Por, këta turistë, shumë pak e dinë edhe historinë e Kalasë së Shkupit. Në periudhën kur qeverisja e Nikolla Gruevskit tjetërsonte vlerat duke u bërë më antik se sa edhe vetë grekët, me projektin Shkupi 2014, u ngritën dyshime se edhe në Kalanë e Shkupit, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e drejtuar nga Pasko Kuzman, po tjetërsoheshin faktet. Në ekipin e arkeologëve që kryente gërmimet nuk kishte asnjë shqiptar, ndërsa në ndërtimet e objekteve brenda kalasë, të kryera gjatë natës me punëtorë që ngarkoheshin nga Manastiri, njëra prej tyre u dyshua si Kishë. Kjo çoi në përleshjen e 13 shkurtit, në të cilën kryesonin edhe ministra të vetë BDI-së”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

Nga ministria e Kulturës, me rastin e planeve të qeverisë, u theksua rikthimi i punimeve, të cilat kishin mbetur pezull që nga ngjarjet e Kalasë. LSDM-ja nga viti 2017 deri më sot nuk hodhi asnjë lopatë, por tani, qeveria e re thotë se do të vazhdojë me rindërtimet brenda Kalasë.

“Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit kanë filluar aktivitetet me qëllim të kthimit të Kalasë së Shkupit si atraksion kryesor turistik të Shkupit. Kjo drejtori ka themeluar një grup pune prej disa anëtarësh nga institucione të ndryshme, detyra e të cilëve është të kryejë aktivitetet e duhura për këtë qëllim. Janë aktivizuar edhe institucionet kompetente me qëllim që Kalaja e Shkupit të shpallet me rëndësi të veçantë kulturore, që do të thotë se do të caktohet një institucion që do ta menaxhojë Kalanë, për pastrimin, ndriçimin, higjienën, aktivizimin e muzeve përbërëse, si dhe shërbimit të ciceronëve. Aktualisht, po merret me sigurimin e Kalasë”, thonë nga Drejtoria për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në kohën kur ndjenjat etnike po trazohen sërish me heqjen e balancuesit, me vendosjen në diskutim të ligjit të gjuhës shqipe, me ri nguljen e Qosetos, mbetet të shihet nëse shtëpia e artefakteve në Kala do të jetë një shtëpi-muze, apo një kishë provokuese.

Kalaja e Shkupit është ndërtuar në shekullin V dhe prej atëherë ka qenë rrënuar, rindërtuar e përshtatur sipas nevojave të shumë pushtuesve përgjatë historisë sonë, histori që shumë pak turistë e njohin sikurse ne./ Alsat.mk

Marketing