Rikthehen seancat në Speciale, Thaçi dhe të tjerët nesër para gjykatës

Ish-krerë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin përsëri të hënën para trupit gjykues në Gjykatën Speciale, ku do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Seancat rikthehen pas një pushimi tre-javor të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Marketing

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të dëgjojnë dëshmitarin e radhës kundër tyre, të cilin e sjell Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës.

Ky do të jetë dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë me radhë ndërsa ende nuk dihet nëse do të dëshmojë nën masa mbrojtëse të sigurisë apo me identitet të fshehur.

Deri tani, në këtë proces gjyqësor të gjithë dëshmitarët janë dëgjuare në seanca private, përveç dëshmia e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dhe dëshmia e një oficeri britanik.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.