Rikthehet Champions League, sot United-PSG dhe Roma-Porto

Nis sot në mbrëmje faza e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve me sfidat Manchester United-Paris Saint Germain dhe Roma-Porto.

Marketing

Skuadra e “Djajve të Kuq” vjen në këtë sfidë të rëndësishme në një formë të jashtëzakonshme, pasi nën drejtimin e Solskjaer ka fituar 10 nga 11 ndeshjet e fundit, me norvegjezin të cilin e pret eksperienca e parë si trajner në Ligën e Kampioneve, kompeticion të cilin ai e ka fituar si futbollist 20 vjet më parë, pikërisht me fanelën e Manchester United.

Përballë “Djajve të Kuq” do të jetë PSG që po përballet me problemin e dëmtimeve. Tomas Tuchel nuk do të ketë në dispozicion Neymar, i cili ka pësuar dëmtim në këmbën e djathtë, njësoj si vitin e kaluar, si edhe sulmuesin tjetër Cavani, por në fushë do të jetë Kylian Mbappe që do të jetë kërcënimi më i madh për mbrojtjen e Manchester United.

Në “Olimpico”, Roma do të presë Porton. Skuadra verdhekuqe nuk ka pësuar humbje në 6 ndeshjet e fundit në Serie A, por eliminimi me rezultatin 7-1 në Kupë nga Fiorentina duket se djeg. Në këtë sfidë Roma do të luajë pa Patrick Schick, i cili ka një problem muskular, por rikthehet Manolas, ndërsa portieri Olsen është në dyshim.

Te Porto, sfida me Romën konsiderohet si një derbi për trajnerin Conceicao për shkak të së kaluarës së tij me Lazion, me të cilën luajti për 3 sezone duke fituar 5 tituj, mes të cilëve atë të Serie A në 2000. Edhe Porto përballet me mungesa për ndeshjen e sotme, pasi në radhët e saj nuk do të jenë Jesus Corina i pezulluar dhe shënuesi më i mirë i saj, Moussa Marega për arsye dëmtimi.