Rimëkëmbja e biznesit, Iseni: Shumë sektorë ende po hasin në vështirësi

Lehtësimi i masave ka reflektuar pozitivisht në sektorin e biznesit, e posaçërisht në sektorin e gastronomisë, turrizmit dhe konsumit të përgjithshëm, me çka pritet që në kuartalin e tretë të ketë rritje të Bruto Prodhimit Vendor. Mirëpo edhe përskaj përmirësimit të situatës në ekonomi, shumë sektorë si pasojë e mungesës së likuiditetit po hasin në vështirësi, vlerëson për TVM2 drejtori ekzekutiv i OEMVP, Drilon Iseni.

Marketing

“Edhe në sektorët ku ka lëvizje bizneset hasin në vështirësi në realizimin e obligimeve që kanë ndaj bashkëpunëtorëve të vet, nuk mund të sigurojnë borxhet që kanë kryer ndonjë punë ose ndonjë shërbim dhe kjo është si pasojë e mungesës së likuiditetit dhe krizës që ka qenë gjatë vitit të kaluar. Kjo është nga pasojat që duhet të adresohet urgjentisht.”, tha Drilon Iseni, drejtor ekzekutiv i OEMVP.

Mungesa e fuqisë punëtore në sektorin e ndërtimtarisë vazhdon të mbetet shqetësuese, deklaron Iseni.

“Kemi sektorin e ndërtimtarisë i cili ka një potencial të madh për projekte zhvillimore, mirëpo ende has në pengesa të natyrës së fuqisë punëtore që është problematikë edhe më e madhe , mirëpo poashtu edhe në moratoriumin e planeve detale urbanistike që karakterizohen disa komuna të Maqedonisë.”, tha Iseni.

Si pasojë e pandemisë vitin e kaluar kanë falimentuar gjithësej 6214 kompani, ndërsa mbi 17 mijë të punësuar kanë humbur vendin e punës. Bizneset tanimë janë në një fazë të paqartësisë se vallë eventualisht mund të ketë kthim të virusit në një variant tjetër dhe se edhe shumë kompani e punëtor mund ta kenë fatin e njejtë. Nga OEMVP nuk japin shpresë, thonë që ekonomia e Maqedonisë nuk ka kapacitet që do të mund të përballonte edhe një krizë të tillë. Nga atje bëjnë apel që sektori financiar bankar të jetë sa më tolerant me sektorin e biznesit, duke u mundësuar kompanive kredi me norma interesi më të ulëta. Porosisin gjithashtu që Qeveria të stimulojë prodhimin vendor, të përkrah kompanitë që janë të orientuara drejt eksportit dhe ndihma e shtetit ndaj kompanive në ruajtjen e vendeve të punës të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Marketing