Rishikimi i buxhetit, shkurton fondet për gazsjellësin

Paratë për ndërtimin e gazsjellësit kombëtar do të jenë të parat në shënjestër të rebalancit të paralajmëruar të buxhetit. Këtë e konfirmoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski. Megjithatë, Sugareski tha se nuk do të kthehen në arkën e shtetit të gjitha paratë që ishin rezervuar për këtë projekt, por se do t’i shfrytëzojnë ditët më të nxehta për të punuar në terren.

Marketing

“Duhet të shikojmë edhe rreth punës së gazsjellësit, e dini se tani është edhe fundi i sezonit ndërtimor, të shohim se sa ditë të volitshme do të ketë për punë dhe prandaj tani nuk mund t’i parashikoj mjetet që do të kishin mbetur në buxhetin”, theksoi Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Nga Ministria e Financave deri tani nuk zbulojnë detaje, por konfirmojnë se rebalanci është përgatitur. Nga Kabineti i ministrit Dragan Tevdovski për Alsat shprehen se gjithçka varet nga zhvillimet politike. Nëse ka zgjedhje, nuk do të ketë rebalanc. Në rast të tillë nga arka shtetërore do të duhet të sigurohen para për zgjedhje. Nga fillimi i vitit, Qeveria dështoi në realizimin e investimeve kapitale. Të dhënat tregojnë se për tetë muaj prej vitit 2018 janë realizuar vetëm 23 për qind e parave të parashikuara për projekte kapitale. Në numra, kjo do të thotë se nga shuma e parashikuar prej 391 milionë euro, janë investuar vetëm 91 milionë.

Ndryshe, vetëm për ndërtimin e rrjetet gazsjellës që duhet të kalojë nëpër malin Vodno mbi Shkup, nga buxheti për këtë vit janë parashikuar 32 milionë euro. Gjatë periudhës së kaluar Sugareski deklaroi se deri tani realizimi i këtij projekti arrin vetëm 10%. Ndërkohë, punimet ndërtimore në Vodno janë ndërprerë për shkak të protestave të shoqatave ekologjike të cilat nuk lejojnë prerjen e pyllit. Ndonëse u mbajtën dy debate publike mes autoriteteve dhe ambientalistëve, deri tani nuk ka zgjidhje për gazsjellësin.

Marketing